fbpx

Shkolla ku bufeja dhe kabinetet janë bërë klasë mësimi

Shkolla ku bufeja dhe kabinetet janë bërë klasë mësimi

Dikur ishte bufe por tash është shndërruar në një klasë mësimore. Ndërsa kabinetet e dedikuara si klasa për ushtrime praktike në lëndë të ndryshme tashmë janë vetëm me banka. Kjo është gjendja në shkollën e mesme “Aleksander Xhuvani” në Podujevë.

Një dhomë e veshur me pllaka të bardha e cila më shumë ngjanë në një tualet e që deri në vitin 2011 ishte përdorur si bufe e shkollës tashmë është shndërruar në klasë mësimore në të cilën janë vijojnë mësimin 32 nxënës, të klasës së XII.

bufeja2

Por, ky objekt i gjimnazit pas disa vite është paraparë që të jetë shkollë fillore pasi që objekti i ri për “Aleksandër Xhuvanin” ka filluar të ndërtohet në fund të vitit 2009, përfundimi i së cilës ende nuk është bërë.

Neglizhenca e punës për 7 vite me radhë ka bërë që bufet dhe kabinetet e  objekti të vjetër të gjimnazit të shndërrohen në klasa mësimore, ndërsa nxënësve ju është premtuar në secilin fillim të vitit shkollor që do të transferoheshin në objektin e ri.

Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur tash e 5 vite. Për këtë të kënaqur nuk janë disa nga nxënësit e kësaj shkolle dhe njëri ndër ta është  Donat Salihu.

Donati, maturant i kësaj shkolle thotë se klasa në të cilën ai mëson vite më parë është shfrytëzuar si  bufe dhe në këtë hapësirë është e pamundur të zhvillohet mësimi.

“Që nga fillimi i viti të parë në këtë shkollë, vjet për vjet na është premtuar se në fillimet e viti te ri do të jemi në objektin e ri dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe klasa në te cilën i vijoj mësimet kohë më parë është përdorur si bufe me ushqim dhe tani në kushte të tilla është e  pamundur të zhvillohet mësimi nëpër banka me tre  nxënës”, thotë Salihu.

Nuk është vetëm bufeja  e nxënëseve ajo e cila është shndërruar në klasë mësimore. Fatin e njëjtë e kanë pasur edhe kabinetet e informatikës, biologjisë dhe muzikës.

bufeja3

Arbisa Çitaku  është njëra ndër nxënëset e cila ndjek mësimet në kabinetin e informatikës.

“Duke marrë parasysh se i ndjek mësimet në kabinetin e informatikës do të thotë qe jemi ne mungesë edhe të kabineteve pasi që ato shfrytëzohen për klasë “ , u shpreh Çitaku.

Arbisa thotë të këtë dëgjuar se përveç bufeve dhe kabineteve kanë rinovuar edhe një pjesë të tualeteve për të shndërruar në klasë në mënyrë që të fitohet edhe një klase.

Në lidhje me këtë drejtori i gjimnazit  Naim Salihu thotë se mënyra se si është shfrytëzuar hapësira e shkollës ia kujton kohë e luftës kur kemi mbajtur mësim nëpër shtëpia.

bufeja4

“Interesimi i madh i nxënësve të jenë pjesë e gjimnazit na ka bërë që çdo hapësirë që kemi në shkollë ta ambientojmë  si klasë për mësim , në mënyrë që ora të jetë në nivel dhe nxënësve të ju jepet hapësira që të jenë më shumë aktiv. Ky objekt kur është lëshuar ka qenë e parapamë që të  jenë 15 klasa dhe tani janë 10 ma shumë dhe këto s’kanë qenë të dedikuar për klasë”, tha Salihu.

Drejtori pranon se edhe pjesë të tjera të shkollës janë rinovuar për t’u shndërruar në klasë.

“Një kënd në këtë shkollë këtë vit është dashur ta shndërrojmë në klasë e cila është sa gjysma e zyrës sime dhe arsyeja është sepse të gjitha klasat janë nga 32 nxënës , mund të jenë më pak se 32 por më lart se 32 nuk janë”, shprehet Salihu.

bufeja6

Në Drejtorinë për Arsim në Komunën e Podujevës, thotë se për mos përfundimin e objektit të ri të shkollës “Aleksandër Xhuvanit” nuk kanë as ata ndonjë informacion.

“Projekti për ndërtimin e objektit te ri është i Ministrisë së Arsimit  dhe unë çdo ditë e bëjë pyetjen,  pse nuk po përfundon ky projekt”, thotë Avni Maloku, drejtor i Drejtorisë për Arsim në Podujevë.

bufeja7

Sipas tij, si pasojë e mos përfundimit të objektit të shkollës, nxënësit e kësaj shkolle janë të detyruar që të mbajnë mësim në klasa të improvizuara.

Përderisa kompania që është duke e ndërtuar objektin e ri të “Aleksander Xhuvanit” fajëson Ministrinë e Arsimit për mos pagesë të mjeteve që ka obligim t’ia paguaj, në MASHT nuk janë përgjigjur fare për këtë çështje.