Daçiq: Kosova është krahinë autonome e Serbisë

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë sot në adresimin e tij në takimin e Lëvizjes së Painkuadruarve në Baku se arritja e zgjidhjes politike me Kosovën është prioritet kombëtar i Serbisë dhe i ka bërë thirrje vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën të tërheqin vendimin e tyre.

Daçiq: Kosova është krahinë autonome e Serbisë

Siç transmeton Ministria e Jashtme e Serbisë, “Daçiq ka shprehur përkrahjen e plotë për respektimit të parimit të sovranitetit dhe pavarësisë politike, si themele mbi të cilat qëndrojnë paqja dhe siguria ndërkombëtare”.

Daçiq edhe në këtë forum ka shprehur “ëndrrën e vjetër të shefit të tij, Sllobodan Millosheviq” se “Kosova është krahinë autonome e Serbisë”, dhe se është “nën administrimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të KB në Kosovë, UNMIK-ut”, dhe ka shtuar se “Serbia, duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, njëkohësisht e mbron edhe të drejtën ndërkombëtare, Kartën e Kombeve të Bashkuara si dhe autoritetin e Këshillit të Sigurimit”.

Ai i ka falënderuar të gjitha shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka thënë se dy vjetët e fundit, “duke respektuar argumentimin e Serbisë, gjithsej 15 shtete kanë tërhequr vendimin mbi njohjen e Kosovës”, njëkohësisht duke bërë thirrje edhe për shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën ta tërheqin këtë, duke theksuar se “Serbia dinë të vlerësojë këtë veprim”./Insajderi.com.