Vuçiq falënderon vendet e BE të cilët nuk votuan për pavarësimin e sistemit enegjetik të Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se ka pasur “takim të mirë, të hapur dhe shumë të gjatë” me ambasadorët e akredituar të Bashkimit Evropian në Serbi.

Vuçiq falënderon vendet e BE të cilët nuk votuan për pavarësimin e sistemit enegjetik të Kosovës

Ai ka theksuar edhe bashkëpunimin “e shkëlqyer” me shtetet e Bashkimit Evropian përveç se nuk pajtohet me ata përkitazi me Kosovën.

“Gjendemi në rrugën evropiane dhe duam që vendin tonë ta rregullojmë në harmoni me rregullat evropiane. Tema e vetme ku nuk jemi pajtuar është se kemi pasur qëndrime të kundërta  në lidhje me çështjen e energjetikës e Kosovës dhe në disa çështje tjera të cilat kanë të bëjnë me Kosovën”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka falënderuar vendet e Bashkimit Evropian të cilat kanë qenë kundër “grabitjes së sistemit transmetues të Serbisë” në Kosovë dhe “dorëzimin e tij Shqipërisë” dhe ka shtuar se për këtë nuk dëshiron të flas, sepse ka folur shumë herë. Vuçiq e ka falënderuar Hungarinë e cila kishte abstenuar gjatë votimit dhe ka përsëritur se Beogradi për këtë çështje ka qëndrim ndryshe nga ai i shumicës së vendeve të BE.

“Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe as që bisedohet në shumë vende të BE, derisa BE ka qenë bashkë nënshkrues i marrëveshjes së vitit 2013”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka pretenduar se Sebia gëzohet për paralajmërim të pezullimit të taksës  ndaj prodhimeve serbe dhe të masave të reciprocitetit, si dhe vazhdimit të dialogut.

“Besojmë në rolin e mirë të Mirosllav Lajçakut. Ai përfaqëson të gjitha vendet e BE dhe obligimi ynë është që të respektojmë këtë. E çfarë mendoj personalisht për Lajçakun – mendoj se ai është një njeri inteligjent dhe i aftë”, ka thënë Vuçiq./Insajderi.com.