Vuçiq: I kam thënë shqiptarëve të mos i trillojnë kishat e tyre

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se pushteti i Malit të Zi “duhet të bëjë dialog në lidhje me Ligjin kontestues për liri të besimit me Kishën Ortodokse Serbe, pjesë e të cilës është Mitropolia malaziase-bregdetare”.

Vuçiq: I kam thënë shqiptarëve të mos i trillojnë kishat e tyre

Ai ka thënë se “dialogu gjithmonë është shërues” dhe ka shtuar se “Serbia gjithmonë është e gatshme të ndihmojë për të gjitha çështjet në lidhje me situatën në Mal të Zi”.

“Nuk kam biseduar me Millo Gjukanoviqin. E shoh se të gjithë duan të marrin pjesë në dialog dhe nuk kam asgjë kundër. Dua vetëm t’ia tërheq vëmendjen pushtetit malazias se duhet të bisedojë me KOS”, ka pretenduar Vuçiq.

“Ne nuk përzihemi, por kemi një frikë. Autoritetet malaziase e përmendin dialogun me Mitropolinë malaziase-bregdetare. Ata janë të detyrueshëm të bisedojnë me KOS. Duhet të jetë plotësisht e qartë se bëhet fjalë për Kishën Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Ky ishte qëndrimi ynë edhe në bisedime me shqiptarët në Bruksel, që atyre të mos iu shkojë mendja të trillojnë kishat e tyre. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjitha çështjet, por e shoh se të gjithë duan të bëjnë atë çfarë nuk është puna e tyre”, ka deklaruar Vuçiq.

Duke reaguar në brengosjen e euro-deputetes Tanja Fajon për shkak të mundësisë së zvogëlimit të pragut zgjedhor në Serbi para zgjedhjeve, Vuçiq me ironi thekson se “shpreson se ajo, si një luftëtare e madhe për të drejtat e njeriut, do të luftojë që serbët në vendlindjen e saj Slloveni të fitojnë statusin e pakicës kombëtare”./Insajderi.com.