3 policët kosovarë u kidnapuan rreth 300 metra brenda territorit të Kosovës

3 policët kosovarë u kidnapuan rreth 300 metra brenda territorit të Kosovës

Tre pjesëtarë të Policisë Kufitare të Kosovës, dyshohet se janë kidnapuar nga presona të maskuar sot në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviqit.

Zona ku dyshohet se janë kidnapuar policët e Kosovës ndodhet rreth 300 metra brenda në territorin e Republikës së Kosovës.

Pamjet e mëposhtme tregojnë vendin ku dyshohet se u kapen 3 policët e Kosovës. Zona tashmë është rrethuar me shiritat e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se “me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

Behet e ditur se në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe.

Nga ana tjetër, mediat serbe kanë publikuar disa fotografi në të cilat pretendohet se shfaqen pjesëtarët e policisë së Kosovës që u kidnapuan. Ato pretendojnë se 3 policët kosovar u arrestuan nga policia e Serbisë.