3 vjet nga miratimi i demarkacionit me Malin e Zi

3 vjet nga miratimi i demarkacionit me Malin e Zi

Kanë kaluar tri vjet që kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi, transmeton Insajderi.

Me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, gjatë pasdites së 21 marsit të 2018-tës, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Për shkak të hedhjes së gazit atë ditë, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga seanca.

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015.

Kjo marrëveshje u shndërrua në një ndër kushtet kryesore të shtetit të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe nuk u votua nga deputetët deri në momentin kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Filip Vujanoviq, nxorën një deklaratë të përbashkët, e cila parasheh rishikimin dhe përmirësimin e gabimeve eventuale. /Insajderi.com