Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas arrestimit nga xhandarmeria serbe të dy qytetarëve të Podujevës, Blerim Maqastenës dhe Berat Mexhuanit, para dy ditëve, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Ahmeti thotë se atyre i është shqiptuar masa për paraburgim prej 30 ditëve.
“Blerimi me një shok janë arrestuar nga xhandarmeria serbe te kufiri për shkak se si duket e kanë kaluar gabimisht. Sot gjykata në Serbi ja ka shqiptuar masen e paraburgimit prej 30 ditëve. Blerimi nuk ka qëllime të kqija e as nuk kalon kufij ilegalisht për me bo diçka. Është asambleist në Podujevë”, shkroi Ahmeti në një postimin e tij.
Ahmeti tutje u bëri apel institucioneve të vendit që të bëjnë çmos për ta siguruar lirimin e Blerimit, por këtë kërkesë e ka drejtuar edhe te instituticionet serbe.
Ai tha se Blerim Maqastenën e ka shok të mirë.
“Ju bëj apel krejt institucioneve tona të bëjnë çmos për ta siguruar lirimin e Blerimit. Ju bëj apel edhe institucioneve në Serbi për lirimin sa më parë të Blerimit. Nuk ka nevojë për situata të tilla krize, e sidomos jo në pandemi!”, shkroi Shpend Ahmeti.
Dy llapjanët u raportua se e kaluan kufirin e Kosovës për në Serbi gabimisht, dhe krejt kjo si pasojë e mjegullës. /Insajderi.com