Një 30 vjeçar nga Komuna e Obiliqit është njëri nga pesë personat që ndërruan jetë brenda 24 orëve të fundit si pasojë e infektimit me Coronavirus në vend, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e përditshëm të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ku u raportua edhe për moshën e viktimave.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (62 vjeç), Obiliq 1 rast (30 vjeç), Podujevë 1 rast (76 vjeç), Prishtinë 1 rast (82 vjeç) dhe Prizren 1 rast (77 vjeç)”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë që edhe 437 raste të reja pozitive me COVID-19 u shënuan përgjatë kësaj periudhe kohore.
Ndërsa u shëruan 255 pacientë të tjerë, duke e çuar në 59 mijë e 174 numrin e përgjithshëm të të kuruarve nga ky infeksion që nga fillimi i pandemisë.
Numri total i rasteve pozitive është 67 mijë e 906 raste dhe një mijë e 587 raste të vdekjes. /Insajderi.com