300 metra rrugë e pa shtruar po u shkakton shumë telashe 10 familjeve në Lagjen e Spitalit

300 metra rrugë e pa shtruar po u shkakton shumë telashe 10 familjeve në Lagjen e Spitalit

Ndonëse gjendet më pak se tre kilometra larg objektit të Komunës së Prishtinës, rruga “Mehmet Shpendi” në Lagjen e Spitalit është në gjendje shumë të keqe.

Banorët thonë se vazhdimisht morën premtime, por rruga nuk u shtrua asnjëherë, raporton “038” i KTV-së.

Kjo pjesë e Lagjes së Spitalit u ofron banorëve të saj një pamje të bukur të kryeqytetit. Por, krejt tjetër është pamja dhe gjendja e vetë rrugës “Mehmet Shpendi”.

Ndonëse nuk është më e gjatë se 300 metra, kjo rrugë e baltosur po u shkakton probleme afër 10 familjeve që banojnë përgjatë saj.

Banorët e lagjes duhet të përballen me këtë gjendje edhe dimrin që po vjen, me gjithë premtimet që thonë se i morën për rregullimin e rrugës në pranverën e këtij viti.

Madje, Bajram Canolli, pos, siç thotë, shpërfilljes së kërkesave të tij nga komuna, pretendon se drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e kishte larguar nga zyra.

Në komunë thonë se rregullimi i kësaj rruge është pjesë e buxhetit të sivjetmë, por nuk e dinë nëse mund të bëhet para Vitit të Ri, për shkak të kushteve atmosferike.

E vetmja shpresë e banorëve për rregullimin e rrugës gjatë këtij viti është përmirësimi i motit.