Ka filluar vaksinimi i të moshuarve në Kosovë ndaj virusit COVID-19. Vetëm në dy ditët e fundit (e enjte-premte) në sallën “1 tetori” janë vaksinuar 313 të persona mbi moshën 85 vjeçare, përcjell Insajderi.
Koordinatori në Qendrën e Vaksinimit, Niman Bardhi ka treguar se vetëm të premten janë vaksinuar 109 të moshuar.
“Po vazhdon dita e dytë me radhë e vaksinimit për të moshuarit mbi 85 vjeç dhe aktualisht deri në këto çaste që ne flasim kemi të vaksinuar në total 313 persona, kurse vetëm ditën e sotme kemi 109”, ka deklaruar ai.
Bardhi po ashtu ka theksuar se përkundër moshës së shtyrë, këta persona nuk kanë pasur ndonjë shqetësim pas vaksinimit dhe pritet që në orët e mbrëmjes, numri i të moshuarve që do të vaksinohen të jetë më i madh.
“Siç po e shihni në mënyrë të vazhdueshme është duke ecur vijueshmëria e tyre për t’u vaksinuar, kështu që deri në orët e mbrëmjes ky numër padyshim do të jetë dukshëm më i madh krahasuar edhe me ditën e djeshme”.
Përkundër që ka pasur kërkesa nga stafi shëndetësor, Bardhi ka treguar së ata nuk janë vaksinuar pas afatit të paraparë./Insajderi.com