32 është numri i zyrtarëve serbë të cilët figurojnë në listën e pagave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por që nuk paraqiten asnjëherë në punë.
Kështu është bërë e ditur të martën gjatë raportimit të zëvendësministrit të MAShT-it, Dukagjin Popovci, para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të ministrisë.
Në mbledhje ndër të tjera u tha se numri i të gjeturave është i madh.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se ka një mal me të gjetura të auditorit, teksa shtoi se kjo nuk mund të arsyetohet.
“Ka një mal me të gjetura shumë, mungesat e kapaciteteve për mbikëqyrje të gjitha këto kanë sjellë të ne opinion të kualifikuar dhe me numrin e të gjeturave nuk ka mundësi që një opinion i tillë të arsyetohet”, u shpreh Bajrami.
Ndërsa, Pupovci tha se kanë tentuar që të kontaktojnë me ta, por që sipas tij vetëm tre prej tyre janë përgjigjur.
“Ne kemi hartuar një plan veprimi dhe në momentin e dorëzimit me 23 të gjetjeve, nëntë kanë qenë të zbatuara, ndërsa të tjerat janë në proces. Po e pranoj qe ka edhe dobësi që janë të karakterit arsimor, sepse ne kemi gjashtë universitete publike dhe e ngarkon shumë sistemin tonë financiar”.
“Ne kemi propozuar që këto universitete të pavarësohen. Në lidhje me 32 punonjësit, vërtetë kemi pasur shumë vështirësi. Kemi provuar të kontaktojmë telefon, vetëm tre janë përgjigjur. Në këtë muaj do t’i qesim pagat në zero në mënyrë që të na paraqiten”.
“Ministria jonë ka më së shumti persona të tillë që janë kaluar me njërën nga marrëveshjet në të kaluarën. Edhe në momentin kur ta kemi përgjigjen e tyre, do ta kemi problem sepse mund të angazhohen vetëm në pjesën veriore”, u shpreh Pupovci./Insajderi.com