33 milionë euro për pistën që rrezikoi të shkaktonte aksidente të aeroplanëve

33 milionë euro për pistën që rrezikoi të shkaktonte aksidente të aeroplanëve

33 milionë euro u investuan në projektin për zgjatjen e pistës së aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, që në fund do të rezultonte me probleme që mund të shkaktonin incident apo aksident gjatë operimit të aeroplanëve.

E për pasojë, personi i cili sinjalizoi rreziqet u largua nga puna.

Inxhinieri i ndriçimit i fushës ajrore që punonte në Aeroportin e Prishtinës, Demë Elezaj, u kishte raportuar vazhdimisht eprorëve për shkeljet që po bëheshin.

Pas shumë shkresave pa përgjigje, raportin me shkeljet e bëra nga Limak që menaxhon me aeroportin, ai ia drejtoi Autoritetit të Aviacionit Civil.

Konstatimet e Elezajt i aprovoi edhe raporti i inxhinierëve të AAC-së, vetëm rreth një muaj pas përurimit të pistës.

Për meritë, Elezaj nuk u gradua por u largua nga puna.

Por, cilat shkeljet i aprovoi raporti i Autoritetit?

Por, cilat shkeljet i aprovoi raporti i Autoritetit?
Me 26 janar 2022, një grup prej pesë ekspertëve të AAC-së, kishin zhvilluar një inspektim të paparalajmëruar në pistën e zgjatur duke konstatuar kështu se një numër i punimeve nuk janë bërë sipas standardeve.

Raporti të cilin e ka siguruar Shqip.com, rendit gjashtë probleme, që ishin neglizhuar nga udhëheqja e lartë e Aerportit.

Gjatë instalimit, në vijën qendrore të pistës, është vërejtur se në këto baza kanë filluar të degradojnë, mbushja e materiali ka filluar të shpërbëhet, si dhe bazat kanë filluar të dëmtohen dhe të shkëputën nga asfallti. Në njërën nga këto drita inspektorët kanë gjetur edhe një copë të madhe të shkëputur nga materiali mbushës, që konsiderohet si mbetje e rrezikshme duke rrezikuar direkt aeroplanët gjatë ngritjes, aterrimit apo lëvizjes në pistë dhe rrugët e taksimit. Gjatë kësaj periudhe dimri është evidente dhe degradimi materialit izolues në kanalet e kabllokve sekondare. Me sa kemi vërejtur, kabllot kanë dalur vazhdimisht mbi sipërfaqe jashtë kanaleve që mund të jenë rrezik për shkak të tensionit elektrik”, thuhet në raportin e AAC-së.

Gjatë inspektimit është vërtetuar se tek instalimi i kabllove primare për sistemin e ndriçimit në fushën ajrore kabllot e reja janë futur në pustat e vjetra dhe në gypat e vjetër ekzistues. Vërtetuan se gypat janë komplet të mbushura me kabllo d.m.th nuk është respektuar kriteri për mbushjen e tyre sipas udhëzimeve dhe praktikave, ku kërkohet që kanalet të kenë hapësirë të mjaftueshme për instalimet e planifikuara, zgjerimi i ardhshëm, plus një minimum prej 25 për qind të kanalit të mbetet i lirë si rezervë që duhet të përfshihen për të gjitha sistemet e reja nëntokësore”.

 

Raporti i AAC-së vë në fokus një gjetje të frikshme, që mund t’i dëmtonte motorët e aeroplanit.

Sipas standardeve dhe praktikave të Aviacionit mbulimi i kabllove me Bitumen nuk është i lejuar pasi që Bituemi ka veti që gjatë dimrit paraqet mbetje të forta dhe kjo mbetje përbën rrezik potencial për aeroplanët pasi që mund të përthithen nga motorët, ndërsa gjatë verës për shkak të nxehtësisë mund t’i dëmtoj kallot”, thuhet në raportin e AAC-së.

Më shqetësues këtë problem e përbën fakti i mos ndërhyrjes së Limak-ut, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të inxhinierit Elezaj.

Shqip.com ka kontaktuar inxhinerin Elezaj, por nuk ka pranuar të deklarohet. Megjithatë, Shqip.com merr vesh se për projektin në fjalë tashmë kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Shtetit, për çka edhe është intervistuar Elezaj.

Mirëpo, gjetjet e AAC-së, nuk është se e shqetësojnë shumë shtetin.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, krejt këtë raport e konteston dhe e quan jo profesional.

“Për mendimin tim një konstatim i tillë oshtë tendencioz, për ta kontestuar një investim tepër të rëndësishëm që ka ndodh në raportin Adem Jashari”. Por Hyseni është pyetur se mbi cfarë baze e konteston këtë raport të AAC-së. Përgjigja e tij ka qenë se “nuk e dinë”.

Nuk e di pyeti ata, mund të ketë pas ndonjë pjesë diku ndonjë dëmtim të vogël”, ka thënë Hyseni.

Hyseni pretendon se problemet janë sanuar. Këtë pretendim e ka mbështetur “në informatat që i ka”, por ofruar ndonjë fakt.

Shqip.com ka kërkuar përgjigje edhe nga Limak që i ka kryer punimet, por nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërsa, Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar se janë verifikuar korrigjimet e nevojshme, megjithëse konfirmojnë se ende janë në proces të hetimeve.

I gjithë ky projekt në vlerë të 33 milionë eurove, u përurua me pompozitet pasi i njëjti i mundëson ngritjen dhe uljen e aeroplanëve edhe në kushte të dukshmërisë së ulët.

Në bazë të këtij raporti, ANP nuk i plotëson standardet e operimit në kategorinë 3 për të cilin edhe është bërë investimi, rrjedhimisht rrezikohet edhe certifikata e operimeve. /Insajderi.com