35 euro dënimi për mosmbajtjen e maskës, por ende po shqiptohen gjobat e larta

35 euro dënimi për mosmbajtjen e maskës, por ende po shqiptohen gjobat e larta

35 euro është dënimi për qytetarët të cilët nuk respektojnë urdhrin për vendosjen e maskës, në bazë të ligjit për luftimin e pandemisë COVID-19.

Por, qytetarët ankohen se prapë ndaj tyre janë shqiptuar gjoba të ndryshme, madje edhe më të larta në disa raste.

Policia e Kosovës ka thënë se në mungesë të ligjit për parandalimin e pandemisë, në mënyrë që të zbatohen vendimet e institucioneve, Policia ka iniciuar raste penale nga neni 249 dhe 250 i Kodit Penal të Kosovës.

Kurse, për rastet e tjera jopenale Policia thotë se ka shqiptuar gjoba në bashkërendim me inspektorët sanitarë.

Ndërsa nga Inspektorati Sanitar, kanë bërë të ditur se gjobat për personat fizikë të cilët nuk e kanë mbajtur maskën apo distancën kanë shkuar nga 50 deri në 100 euro.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tershnjaku, ka bërë të ditur se vetëm në muajin korrik, prej kur Qeveria e Kosovës e bëri të detyrueshme mbajtjen e maskës, Inspektorati në bashkëpunim me Policinë u ka shqiptuar gjoba rreth 1500 personave fizikë.

Yll Zekaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se para miratimit të ligjit për pandeminë organet kompetente nuk kanë pasur bazë ligjore për shqiptimin e këtyre gjobave.

Ndërsa për gjobat që janë shqiptuar, Anton Nrecaj, këshilltar ligjor në Qendrën për Ndihmë Ligjore dhe Zhvillim Rajonal, ka thënë se qytetarët kanë të drejtë që të ankohen në institucionet e drejtësisë.

Policia e Kosovës ka autorizim që përmes kompetencave të tyre të mundësojnë zbatimin e projekt-ligjit për pandeminë e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /Insajderi.com/