
Rilindja raportonte për valën e të zhvendosurve nga Kosova. Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë e terrorit të forcave serbe mbi popullatën civile.
Gjersa në çdo cep po masakroheshin fëmijë, gra, burra e pleq, kosovarët edhe u dëbuan e u maltretuan kufijve.
Atë kohë rreth 800.000 mijë persona, gjetën strehë kampeve jashtë Kosovës që po bombardohej.
Disa nga ta ikën, për të mos u kthyer më kurrë në vendin ku në vitet 1998-99 u rrezikohej jeta.
E jeta e shumicës, filloi nga e para.
Pamjet e vuajtjeve nëpër male e kufinjë atëherë qenë dëshmitar i asaj që po ndodhte.
E ato bënin bujë edhe nëpër të gjithë mediat botërore.
Për to shkruante dikur edhe Rilindja, duke dokumentuar përgjithmonë atë që po ndodhte.
Me titullin” Valë e madhe e të zhvendosurve nga lufta”, rrëfehej për shtëpitë e najllonta që ishin bërë strehë e mijëra personave maleve të Kosovës.
“Tash po vazhdon vala e madhe e të zhvendosurve nga zonat e luftës. Në anën tjetër, nga frika për ndonjë masakër serbe, siç kanë ndërmarrë në shumë anë të tjera të Kosovës, kryesisht gra dhe fëmijë po i lëshojnë vatrat e veta duke mësyrë kështu kufirin me Maqedoninë.”
Njerëzit e traumatizuar nga ajo që po përjetonin, po arrinin të merrnin vetëm rrobat e trupit me vete dhe asgjë tjetër nga pasuria e ushqimi tjetër që kishin në shtëpitë e tyre.
Duke kaluar netët nën qiellin e hapur, përballeshin edhe me sëmundje të ndryshme.
Në marsin e 99-tës, dëbimet po shoqëroheshin me vrasje përveç në rajonet qendrore sidomos në ato kufitare.
Me titullin, “Spastrime etnike në zonat e kufirit Kosovë-Maqedoni” atëherë shkruhej për disa shqiptarë të ekzekutuar nga policia serbe, raporton T7.
Burime të gazetës njoftonin se ato ditë përgjatë brezit kufitar të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shpërthime të fuqishme e breshëri armësh.
Janë përgjysmuar vendbanimet shqiptare, Pothuajse çdo ditë gjendet nga një I vrarë, Arrestime e keqtrajtime, ishin vetëm disa nga titujt e Rilindjes së vitit 1999.
E vala më e madhe e të të zhvendosurve ishte nga Vushtrria.
Në një konferencë për media zëdhënësi i OKB-së për refugjatë Kris Janovski kishte deklaruar se vetëm gjatë dy ditëve kishin ikur 9000 persona.
Situata për të zhvendosurit kishte ndryshuar me nënshkrimin e marrëveshjes në mes të KFOR-it dhe UÇK-ës.
Rilindja kishte bërë thirrje për rikthim në Kosovë, përmes titullit, ‘Popull, kthehu dhe jeto i lirë’.
E në gushtin e atij viti, në Kosovë u rikthyen nga mërgimi refugjatët e parë.
Në tekstin “ Aeroporti i Prishtinës pret refugjatët e parë”, tregohej për udhëtimin e organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Emergjencës.
“167 kosovarë kohë më parë të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre e që patën rastin të vendosen përkohësisht në Zvicër, të cilët tani vullnetarisht vendosën të kthehen në vendlindje, pritet të aterojnë sot drejtpërsëdrejti në aeroportin e Sllatinës afër Prishtinës.”
Kjo organizatë parashihte shtimin e numrit të aterimeve të fluturakeve me refugjatë shqiptarë në aeroportin e Prishtinës deri katër herë në ditë, e nëse kërkesat rriteshin parashihej mundësia që për rikthim të kosovarëve të përdorej edhe aeroporti i Shkupit.