Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për vrasje të rëndë

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për vrasje të rëndë

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që i akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Kreshnik Haliti, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në Gjykatën Themelore në Pejë, të premten, është dhënë fjala përfundimtare, në rastin ku Haliti, akuzohet për vrasje të rëndë, ndaj shokut të tij, Mentor Zekaj

Prokurori Ardijan Hajdaraj, në fjalën përfundimtare, të cilën gjykatës iaka dorëzuar me shkrim, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor në tërësi është provuar dhe vërtetuar aktakuza për veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndaj të akuzuarit Kreshnik Haliti.

Fjalës përfundimtare të prokurorit, i është bashkëngjitur edhe i dëmtuari, babai i tani të ndjerit Mentor Zekaj, Bajram Zekaj.

Ai gjatë fjalës së tij, nuk i është përmbajtur lotëve, duke thënë se vrasje e të birit, familjarëve u ka shkaktuar dhimbje të madhe, me ç’ rast ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarin Haliti.

Gjithashtu edhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit Bajram Zekaj, avokati Gëzim Kollqaku, ka deklaruar se mbështet në tërësi fjalën përfundimtarë të prokurorit të shtetit dhe në bazë të provave materiale, sipas tij, me padyshim vërtetojnë se i akuzuari Kreshnik Haliti është kryes i veprës penale.

Mbrojtësi Kollqaku, ka shtuar se duke marrë parasysh rrjedhën e ngjarjes dhe mënyrën e privimit nga jeta të tani të ndjerit Mentor Zekaj, privimi i të cilit sipas tij, ka qenë mizor, Prokuroria do duhej përveç nën par.1.6 të nenit 179 të KPRK-së, të fus edhe nën par.1.4 të këtij neni.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Bahtri Troshupa, në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se pas analizimit, konstatimit të të gjitha provave të administruara nuk është vërtetuar ekzistimi i veprës penale, por sipas tij, është vërtetuar mosekzistimi i veprës penale të përshkruar në aktakuzë.

“Ne konsiderojmë që veprimet e të pandehurit, nuk përbëjnë vepër penale për të cilën po pretendohet, eventualisht veprën e kryer në gjendje të fortë mendore”, ka thënë avokati Troshupa.

Sipas tij, aktakuza e Prokurorisë është e mbështetur në prova të papranueshme.

“Procesverbali i vendit të ngjarjes është i papranueshëm, e ashtuquajtur letra e borxhit e cila është nxjerrë në vendin e ngjarjes, duhet të veçohet nga shkresat e lëndës”, ka thënë ai.

Trupi gjykues i kryesuar nga Lumturije Muhaxheri dhe anëtarët Kreshnik Radoniqi dhe Sami Sharraxhiu, shpalljen e aktgjykimit e kanë caktuar më 4 korrik 2018, në ora 15:00.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore  e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj nga Peja, shkruan Betimi për Drejtësi.

Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Mentor Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.