Sekretari Amerikan, John Kerry, ka konfirmuar se gjatë vizitës në Tiranë do të takojë Edi Ramën dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.
Por nuk dihen arsyet se pse Kerry nuk do ta takojë Ilir Metën.
Vetë Meta, i pyetur për këtë fakt nga gazetari Ylli Rakipi tha se shumë media e theksojnë faktin sikur kreu i Kuvendit të Shqipërisë është izoluar nga ndërkombëtarët. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë.
“Kam dëgjuar në shumë media se sikur unë qenkam izoluar nga faktori ndërkombëtar. Kjo nuk është e vërtetë, por fryrje e mediave. Kerry ka agjendën e tij edhe mund të mos e presë kryetarin e Kuvendit. Lajm do të ishte sikur Kryetari i Kuvendit të Gjermanisë ose SHBA-ve të mos më takojë”, sqaroi Meta, raporton Albeu.com.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar edhe arsyet pse Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry nuk do të takohet me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, raportojnë mediat në Shqipëri.
Sipas sqarimit të DASH, SHBA i ka dhënë të gjitha rekomandimet për hartimin e legjislacionit për reformën në drejtësi, prandaj Ilir Meta nuk është në agjendën e takimeve me zyrtarin e lartë amerikan.
“Ne po i ndihmojmë edhe duke i dhënë këshilla të ekspertëve nga Këshilli i Europës. Pra, ky është një projekt që ne kemi punuar së bashku. Disa nga strukturat që do të forcojnë sistemin janë kërkuar prej shumë kohësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu, për shembull, do të krijohet një strukturë hetuese si FBI-ja, gjë që aktualisht nuk e kanë. Kjo do ta bëjë sektorin e gjyqësorit të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe të SHBA-së”,- thuhet ndër të tjera në sqarimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.