Në Kosovë janë 39 familje që janë ofruar të strehojnë fëmijë të braktisur nga prindërit e tyre, apo që për arsye të tjera nuk kanë familje. Këto 39 familje i mbajnë këta fëmijë, deri sa dikush tjetër i birëson për t’iu dhënë një shtëpi të përhershme. Ka familje që kanë strehuar me dhjetëra fëmijë. Shteti, varësisht nga specifikat e rastit, i kompenson me të ardhura mujore. Vetëm gjatë vitit 2020 janë braktisur 28 fëmijë – “19 meshkuj dhe 9 femra”, thuhet në raportin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Përkundër përgjegjësisë, është ndjenjë e veçantë. Me fëmijët jemi mësuar dhe vështirë e kemi të ndahemi nga ta”.
Kështu shprehet Fehmi Kelmendi, kur pyetet se si është të kujdesesh për një fëmijë të braktisur, që s’e ka ndjerë më parë dashurinë prindërore.
Familja Kelmendi tash e tetë vite ua ka hapur dyert e shtëpisë dhe është bërë ‘fole’ për fëmijë të braktisur nga prindërit biologjikë. Ata, si familje strehuese, vazhdimisht mbajnë fëmijë të braktisur, disa me muaj e ka që edhe me vite kanë qëndruar aty, derisa dikush nuk është paraqitur për t’i birësuar.
Kelmendët nga Prizreni janë gjashtë anëtarë të familjes. Por, meqë pothuajse gjithmonë kanë ndonjë fëmijë të strehuar, kryesisht brenda shtëpisë jetojnë më shumë veta.
Aktualisht po strehojnë dy fëmijë. Njëri është nëntë vjeç dhe tjetri pesë. Janë vëllezër.
Kryefamiljari Fehmi Kelmendi, në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, thotë se deri tani kanë strehuar 17 fëmijë të braktisur.
Ai pohon se kohën dhe kujdesin më të madh ia kushton bashkëshortja e tij, Remzija, megjithatë nuk i mungon ndihma e tij dhe e katër fëmijëve të tyre biologjikë
“Nga viti 2013 jemi të regjistruar si familje strehuese. Në fillim kemi nënshkruar një kontratë me ministrinë për fëmijët deri në 6 vjeç, por na u është imponuar që të strehojmë edhe më të rritur”, tha Kelmendi.
Ai shtoi se kujdesi ndaj këtyre fëmijëve duhet të jetë i veçantë, pasi disa prej tyre edhe janë të keqtrajtuar.
“Është paksa e vështirë, duke pasur parasysh edhe keqtrajtimin që iu bëhet para se të strehohen tek ne. Por, është ndjenjë e papërshkrueshme. Jemi të lidhur ngushtë me ta dhe janë fëmijë të dashur”.
Të kënaqur janë edhe me mjetet financiare që ministria ua ofron për shërbimin që ata bëjnë. Momentalisht, për dy vëllezërit që po mbajnë marrin 500 euro – nga 250 për secilin.
“Janë të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet”, thotë Kelmendi.
Ai po ashtu deklaron se nga Ministria e Mirëqenies Sociale si dhe Qendra për Punë Sociale nuk mungojnë vizitat, “ndonëse për shkak të pandemisë COVID-19 janë rralluar”.
“Nga ministria vijnë na vizitojnë, por për shkak të pandemisë vizitat e tyre janë rralluar. Nga ministria vijnë pa paralajmërim, ndërsa nga qendra sociale zakonisht na njoftojnë para se të vijnë. Gjatë pandemisë vetëm një herë kanë qenë”.
Sa i përket gjendjes emocionale të fëmijëve dhe nevojës për këshillim me ndonjë psikolog apo profesionist të shëndetit mendor, Kelmendi tha se nga qendra është i angazhuar një psikolog, i cili shkon dhe i viziton varësisht nga nevoja.
Në gjithë këtë akt bamirësie, Kelmendi thotë se ekziston vec një problem.
“Fëmijët lidhen shumë ngushtë me familjen ku strehohen dhe e kanë të vështirë të ambientohen pastaj te një familje tjetër. Kështu bëhet shumë e vështirë”.
Prandaj Kelmendi thotë se do të ishte mirë që fëmijëve t’u gjinden familje birësues dhe të mos lihen shumë gjatë te strehuesit.
“Rastin konkret e kemi me këta dy fëmijë që po kujdesemi tash e tri vite. Është shumë. Maksimalisht 12 muaj do të duhej të ishte”.
Veç familjes Kelmendi, edhe 38 familje të tjera janë të regjistruara në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për përkujdesjen e fëmijëve të braktisur.
Nga kjo ministri në një përgjigje me shkrim për Insajderi-n kanë bërë të ditur se strehimi familjar mbështetet financiarisht me pagesë të rregullt mujore, e rregulluar me vendim të MPMS-së.
“Pagesa mujore për një fëmijë pa përkujdes prindëror të strehuar në familje brenda farefisit është 100 euro, ndërsa për ata të vendosur në familje strehuese jashtë farefisit është 250 euro. Për fëmijë me nevoja të veçanta është 350 euro”.
Aktualisht në strehim familjar jashtë farefisit janë 53 fëmijë, nëntë prej të cilëve janë me nevoja të veçanta.
38 fëmijë janë të braktisur, ndërsa 15 kanë mbetur pa kujdes prindëror për arsye të tjera.
“Nga numri i fëmijëve të braktisur, 28 raste prej tyre janë braktisur gjatë vitit 2020, ndërsa 10 raste janë nga vitet paraprake”.
Ndonëse ekziston paragjykimi se shqiptarët duan djem dhe jo vajza, në Qendrën për Punë Sociale dëshmohet e kundërta. Kjo pasi në këtë qendër, në mesin e të braktisurve vetëm nëntë janë femra, ndërsa 19 meshkuj.
Për t’u regjistruar si familje strehuese, duhet plotësuar disa kritere.
-Familja potenciale strehuese duhet t’i nënshtrohet vlerësimit profesional nga ana e Qendra për Punë Sociale;
Nuk duhet të ketë dosje kriminale apo edhe të jetë e përndjekur penalisht për ndonjë vepër penale.
Duhet të këtë zotësi të plotë veprimi, duhet që anëtarët e familjes të jenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Familja strehuese nuk duhet të jetë përdoruese e alkoolit apo/dhe substancave narkotike.
Duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme banimi dhe kushte të përshtatshme për përkujdesjen dhe strehimin e fëmijëve pa kujdes prindëror.
Duhet ta ketë të përfunduar trajnimin nga QPS-ja për përgatitjen e saj si familje potenciale strehuese.
Familja strehuese nuk duhet të jetë e punësuar në QPS, OJQ vendore ose ndërkombëtare, të cilat ofrojnë shërbime të kujdesit familjar.
Gjithashtu, familja strehuese duhet të tregojë gatishmëri të bashkëpunimit me QPS-në në rastet e paraqitjes së nevojave urgjente për vendosjen në strehim familjar të fëmijës/ve, qofshin edhe me nevoja të veçanta/aftësi të kufizuara./Insajderi.com