Nuk paguhen asnjëherë për punën jashtë orarit e as për punën në ditët e pushimit, përballën me rrezikshmëri në punë dhe pa pajisje adekuate si dhe kanë paga të vogla, por megjithatë zjarrfikësit në Kosovë nuk heqin dorë nga puna e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.
Pavarësisht gjendjes së zjarrfikësve të Kosovës të cilët ditë më parë edhe protestuan para Qeverisë së Kosovës, presidenti i venit Hashim Thaçi, ka gjetur kohë për t’i lavdëruar zjarrfikësit në Greqi.
Thaçi përmes një shkrimi në Facebook është ka shprehur solidarizimin ndaj Greqisë, aty ku humbën jetën rreth 50 personave për shkak të zjarreve që kanë përfshirë malet.
Ai ka thënë se “janë të tmerrshme dëshmitë për viktimat, por të japin zemër lajmet për heroizmat e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve”.
“I prekur thellë nga humbjet e jetëve pas shpërthimit të zjarreve në rajonin e Athinës, në Greqi. Janë të tmerrshme dëshmitë për viktimat, por të japin zemër lajmet për heroizmat e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve. Kosova solidarizohet me fqinjët tanë dhe është e gatshme të ndihmojë”, ka shkruar Thaçi.
Kujtojmë se javë më parë zjarrfikësit e Kosovës kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të kushteve të punës. Sipas tyre, ata nuk paguhen asnjëherë për punën shtesë dhe as për punën gjatë pushimeve.
Po ashtu shqetësim për zjarrfikësit e Kosovës mbeten pajisjet për punë si dhe çështja e pagave. Zjarrfikësit janë shprehur se nuk dihet se cilës qeverisje i takojnë, asaj lokale apo qeverisjes qendrore./Insajderi.com