Marinka Tepiq, nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi të Serbisë, ka zbuluar se Daçiq ka mbledhur para nga afaristët e dyshimtë dhe tregtarët e armëve për të’i paguar tërheqjet e njohjeve të Kosovës.

Në listën e bashkëpunëtorëve të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe njëherësh liderit të Partisë Socialiste, Ivica Daçiq, prej vitesh ka pasur njerëz të akuzuar për krime të rënda ose që për t’u ngritur në detyrë janë ndihmuar nga biznesmenë kontrovers, thuhet në një hulumtim të bërë nga e përditshmja serbe Kurir.
Në mesin e tyre janë Branko Lazareviq, shef i zyrës së kabinetit të Daçiqit në kohën kur ishte ministër i Policisë, drejtori aktual politik në ministrinë e Punëve të Jashtme, Zoran Vujiq, ndryshe i njohur si një njeri shumë i afërt dhe i lidhur me tregtarin kontrovers me armë SllobodanTeshiq, derisa në partinë e SPS të Daçiqit, bashkëpunëtori më i ngushtë Vlladan Zagragjanin, ishte akuzuar në rastin e aferës “Valixhja”.
Ajo që Daçiq është i rrethuar me njerëzit e tillë tregon se mafia apo një pjesë e mafisë i ka instaluar njerëzit e saj në Partinë Socialiste të Serbisë, thotë për gazetën Ivan Niniq nga Qendra serbe për Sundim të Ligjit. Aktgjykimet për Llazareviqin dhe Zagragjaninin, pa marrë parasysh se janë lirues, konfirmojnë se rreth Daçiqit ekzistojnë njerëzit t cilët kanë për detyrë të shërbejnë për nevojat e mafisë.
Marinka Tepiq, nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi të Serbisë, ka zbuluar se Daçiq ka mbledhur para prej afaristëve të dyshimtë dhe tregtarët e armëve për t’i paguar tërheqjet e njohjeve të Kosovës dhe një shumë të madhe ka marrë edhe nga Teshiqi.
Daçiqi ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që ka mbledhur para për pagesë të politikanëve të ndryshëm nëpër botë që t’i tërheqin njohjet e pavarësisë së Kosovës prej afaristëve të dyshimtë dhe tregtarëve të armëve dhe vetëm prej Sllobodan Teshiqit Daçiq ka marrë më shumë se një milion euro para të gatshme, ka deklaruar ajo.
Daçiq ka thënë se “këto deklarata shkojnë në dobi të armiqve të Serbisë dhe se kjo tregon se sa ajo e urren Serbinë”./Insajderi.com.