Për Shyhrete Berishën e cila i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, ku iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ende nuk është e qetë.
Plaga që ka marrë nga masakra, i është shtuar edhe një tjetër, të cilën nuk po ka shanse ta mbyllë qe 4 vite.
Pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës, por Xhelali edhe pas 4 viteve ballafiqimi në gjyq, vazhdon me avazin e braktisjes së seancave gjyqësore.
Kështu bëri edhe në seancën e 20-të, raporton Kallxo.com
“Është seanca e 20 sot dhe procedura ka filluar në vitin 2013, propozimi për shtyrjen e seancës haptazi tregon qëllimin e zvarritjes, prandaj lus gjyqtarin që të vazhdohet me procedurën e mëtejshme”, citohet të ketë thënë Naim Qelaqj, avokati i Shyhrete Berishës.
Ai komentoi faktin se Xhelal Berisha dhe e autorizuara e tij Shpresa Berisha lëshuan seancën e kontestit për shtëpinë me Shyhrete Berishën, pasi konstatuan se nuk ka kushte për mbajtjen e saj.
Arsyeja ishte banale.
‘’Si përfaqësuese e Xhelal Berishës e kontestoj njoftimin përmes postës elektronike, se gjykata nuk e ka të ditur se a e ka pranuar apo nuk e ka pranuar e-mailin, prandaj nuk mund të konsiderohet se e njëjta ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt”, tha avokatja Berisha.
E pala e Shyhrete Berishës, këtë veprim e cilësoi mosrespektim dhe sjellje të papranueshme për sistemin gjyqësor të Kosovës./Insajderi.com