Mediat në Kosovë kanë raportuar për identitetin e tre personave të arrestuar – nga shtatë gjithsejtë – në aksionin e sotëm të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë, për rreth 400 kilogramë kokainë, transmeton Insajderi.
Emrat, që Insajderi i sjellë vetëm me iniciale për shkak se ende nuk ka një konfirmim zyrtar, janë publikuar fillimisht nga portali Indeksonline.
Siç bëri të ditur sot drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media, tre nga të arrestuarit janë nga Prishtina, një nga Lipjani, një nga Gjilani, një nga Peja dhe një nga Obiliqi.
Të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit deri në vazhdim të procedurave të tjera gjyqësore.
Mehmeti njoftoi se sasia e madhe e substancës narkotike e dyshuar për llojin kokainë, që tashmë është sekuestruar ishte fshehur nëpër pako të llojeve të ndryshme të mishit, të cilat kishin ardhur nga Brazili.
Përveç arrestimit të shtatë shtetasve kosovarë dhe konfiskimit të 400 kg kokainë, është sekuestruar edhe një pistoletë dhe lloje të ndryshme të veturave.
Operacioni për këtë rast është duke vazhduar dhe mund të ketë edhe arrestime dhe bastisje të tjera. /Insajderi.com