427 mijë qytetarë kanë aplikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit

427 mijë qytetarë kanë aplikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit

Për vetëm katër muaj në Trustin Pensional të Kosovës kanë aplikuar rreth 427 mijë e 371 qytetarë për tërheqjen e 10 përqindëshit, përcjell Insajderi.

Procesi i aplikimit ka filluar nga 11 dhjetori i 2020, i cili në ditën e parë për vetëm tetë orë kanë aplikuar 220 mijë kontributdhënës.

Jeton Demi, zëdhënës i Trustit tha se procesi i aplikimit ka pasur vetëm në fillim disa probleme teknik por me pas çdo gjë është rregulluar, ndërsa ka treguar  së numri më i madh i aplikimeve ka qenë ai i kategorisë nga  një mijë -2 mijë  euro, ku kanë aplikuar 95.3 për qind e kësaj kategorie.

“Kontribuuesit me bilanc mbi 1000-2000 euro është kategoria që kanë aplikuar më së shumti, janë 95.3 për qind e aplikuesve  të kësaj kategorie nga numri 43 mijë e 851 kontribueseve që mund të aplikonin kanë aplikuar 41 mijë e 779 persona dhe janë kategoria që kanë tërhequr më së shumti mjete. Ndërsa në vlerë mbi 500-1000 euro kanë tërhequr rreth 53 milionë euro dhe janë mbi 95 për qind e kësaj kategorie që kanë aplikuar për tërheqje”, tha ai për EO.

Demi si vështirësi  ka përmendur të dhënat që kanë pasur kontribuuesit në raport me bankat, por ka thënë se asnjë rast nuk kanë në proces që ka aplikuar e të cilit nuk i është gjetur zgjidhja.

Zëdhënësi i Trustit po ashtu ka bërë të ditur se në bazë të ligjit askush s’ka mundur të aplikojë për tërheqje të mjeteve pas datës 6 prill.

Qeveria e Kosovës në kuadër të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike kishte mundësuar tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve, si dhe rimëburësimin për tërheqje nën shumën 1 000 euro.