
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste në Shqipëri, ka mbledhur gjithsej 47 nënshkrime për të shkarkuar Presidentin Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, njofton Insajderi.
Siç bëhet e ditur, kërkesa dhe nënshkrimet janë depozituar në kryesinë e Kuvendit që nga dita e premte, raporton TCh.
Tashmë pritet vendimi për ta futur në rend të ditës këtë kërkesë.
Javën që lamë pas u raportua se të gjithë deputetëve socialistë i ka arritur një mesazh ku thuhej:
“Bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesinë e Grupit Parlamentar kemi vendosur të iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës”. /Insajderi.com