Thaçi e takoi Radojqicin, një ditë pasi e kishte sulmuar Haradinajn për lidhje me të

Thaçi e takoi Radojqicin, një ditë pasi e kishte sulmuar Haradinajn për lidhje me të

Presidenti Thaçi, që thoshte se në asnjë mënyrë nuk e takon kryemafiozin e Veriut, Milan Radojciqin, dhe i cili e sulmonte kryeminsitrin Ramush Haradinajn për raportet miqësore me të, e ka pritur Radojciqin në zyrën e tij. Presidenca nuk e ka lajmëruar takimin, që ka ndodhur vetëm një dita pasi Thaçi e akuzonte kryeministrin për miqësinë me njeriun famkeq të Veriut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka muaj që e përdorë emrin e Milan Radojciqit si armë për ta goditur Ramush Haradinajn. Radojcic, i përfolur për afera kriminale, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic, njihej për një afërsi me Kryeministrin Haradinaj.

Thaçi thoshte që kurrë nuk do ta takonte këtë person, mirëpo Gazeta Express mëson se me 9 tetor, në Presidencë ka shkuar personi me emrin e të cilit ndërlidhën shumë krime, Milan Radjociq, i cili ka formalizuar profilin e tij me emërim si nënkryetar i Listës Srpska.

Madje edhe takimi ka ndodhur një ditë pasi Thaci thirri mediat në oborrin e Presidencës dhe i bëri akuza të forta Haradinajt për miqësinë që kishte me shefin e nëntokës në Veri.

Siç raporton Gazeta Express, takimi është realizuar me ftesë të presidentit Thaçi.

Ky i fundit e kishte sulmuar Kryeministrin Haradinaj, pasi ai e priti në Qeveri zyrtarët e Listës Serbe në krye me Radojciqin.

Kur ishte pyetur nëse do ta takonte Radojciqin, Thaçi thoshte se në zyrën e tij nuk mund të hyjë askush që ka probleme me ligjin. Pikërisht në zyrën e tij ai ka kuvenduar me të ashtuquajturin shefin e nëntokës në veri.

“Natyrisht se çdo përfaqësi politike që kërkon takim me presidencën, verifikohet përbërja e delegacionit  kështu që ata që kanë problem me ligjin nuk mund të jenë prezent në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga etnia që ka”, pati thënë Thaçi në korrik të këtij viti.

Prezent në takim, sipas burimeve, ishte edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Zyra e Presidentin Thaçi nuk është përgjigjur në pyetjet e Expressit rreth këtij takimi.

Në këtë takim, Express mëson se kanë marrë pjese edhe kryeministri Haradinaj, të cilit Thaçi disa herë ia ka komentuar miqësinë që ky e ka me Radojciqin.

Në një nga konferencat e shpeshta për media, në atë që e kishte thirrur për ta sulmuar Haradinajn, Presidenti ndër të tjera tha se “nuk e sakrifikon luginën për hir të ndonjë individi në veri”. Sipas kësaj, Haradinaj, s’po e pranonte idenë e korrigjimit të kufirit për shkak të Milan Radojciqit.

Ndryshe të premten forcat policore kanë kryer një aksion në veriun e Mitrovicës me udhër të Prokurorisë Speciale. Atje kanë arrestuar tre persona që dyshohet të kenë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e kryer në janar të këtij viti. I dyshuari kryesor është Milan Radojciq, të cilin Policia nuk e gjeti.