51 të infektuar me COVID-19 në Shtëpinë e të Moshuarve, të gjithë në listë për t’u vaksinuar

51 të infektuar me COVID-19 në Shtëpinë e të Moshuarve, të gjithë në listë për t’u vaksinuar

51 persona janë evidentuar si të infektuar me Coronavirus në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë dhe të gjithë janë në listë për të marrë vaksinën, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha Raze Aliçkaj, e cila ka njoftuar se asnjë nga rastet e prekura me COVID-19 nuk ka përfunduar me fatalitet, si dhe gjendja e të moshuarve është stabile.

Aliçkaj ka thënë se nuk kanë pasur probleme me furnizim të barnave, duke shtuar se të gjitha kërkesat e këtij institucioni janë realizuar.

“Në kuadër të masave preventive, në fillim e kemi formuar Shtabin Emergjentë i cili e ka kryer punën e vet, e cila i është caktuar brenda institucionit, furnizimi me medikamente ka qenë i mirë nuk kemi pasur probleme, për arsye se furnitori është i kontraktuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me material mbështetës dhe mbrojtës jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i kanë realizuar të gjitha kërkesat tona”, është shprehur ajo për EO.

Aliçkaj tregoi që gjatë pandemisë kanë kërkuar dhe staf vullnetar dhe praktikantë që të kenë më të lehtë punën dhe menaxhimin me të moshuarit sidomos gjatë përballjes me Covid-19.

“Kemi kërkuar vullnetarë dhe praktikantë, që të punojnë në një periudhë kohore për të na ndihmuar në kohë pandemie dhe mund të themi që kemi staf të mjaftueshëm. por gjithmonë jemi munduar që ta zbutim situatën me pandeminë dhe ta ruajmë qetësinë, dhe besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, ka përfunduar ajo./Insajderi.com