51 banorë të Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë kanë rezultuar pozitivë që nga fillimi i pandemisë në vend, 13 prej të cilëve janë ende raste aktive, njofton Insajderi.
Mjeku Krenar Reshitaj i cili kujdeset për të moshuarit në këtë qendër, tregon masat e para që i ndërmorën për të mbrojtur banorët rezidentë nga rreziku i infektimit.
“Me vetë faktin që virusi COVID, është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ne ende pa asnjë rast në Kosovë kemi marrë masat e duhura, moslejimi i daljeve dhe hyrjeve të rezidentëve brenda apo jashtë, izolimi brenda institucionit, kemi ndaluar vizitat familjare për ta, nuk ka pasur të drejtë të hyjë askush përveç stafit esencial që ka punuar në Shtëpinë e të Moshuarve”, ka thënë Reshitaj për KP.
Katër muaj pasi në Kosovë ishin regjistruar rastet e para me COVID-19, në Shtëpinë e të Moshuarve në kryeqytet u shënua edhe rasti i parë.
Një 80-vjeçare me simptoma u testua dhe rezultoi pozitive, ndërsa pas kërkesës për testim edhe të banorëve dhe stafit, u konfirmua se ishin prekur me virusin SARS-COV-2 edhe 30 banorë të tjerë dhe nëntë anëtarë të stafit esencialë.
Pas rasteve të para në këtë institucion, tashmë u shfaq nevoja që të tregohet kujdes edhe për shëndetin mendor të banorëve të cilët kishin frikë se a mund të përballonin virusin.
“Jemi përkujdesur edhe për anën psikologjike të rezidentëve të cilët janë të infektuar por edhe për ata që nuk janë të infektuar por kanë frikë se infektohen në të ardhmen, kemi pasur një trajtim psikologjikë të veçantë e po ashtu edhe një trajtim shëndetësor. Nuk kemi pasur asnjë problem nga ana e rezidentëve, shumë nga ta ju kanë bindur izolimit. Ka pasur ndonjë rast të cilët nuk e kanë besuar virusin por në përgjithësi ka qenë një izolim i duhur dhe respektim i masave të izolimit”, thotë mjeku për KosovaPress.
Mirëpo, problemet filluan të shfaqeshin edhe te personeli shëndetësorë. Në momentin që nëntë anëtarë të stafit esencialë rezultuan pozitivë, ky institucion mbeti me pak punëtorë shëndetësorë.
“Në momentin që morëm rezultatin që nëntë anëtarë të stafit janë pozitivë, filluam komunikimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me c’rast ata u angazhuan të bëjnë një rikonstruktim dhe të sjellin staf shtesë për arsye se mbetëm shumë pak, veçanërisht infermierë kanë qenë 4 apo 5. Është rritur orari i punës, kemi funksionuar me orar të zgjatur, shtabi emergjent ka punuar vazhdimisht”, vijoi Reshitaj.
Madje, as mjeku Reshitaj nuk i shpëtoi infektimit me sëmundjen COVID-19, por thotë se kaloi lehtë.
“Pas kësaj kemi bërë edhe një ritestim nga ana e Institutit me 15 gusht, për arsye që të dimë se kush e ka kaluar virusin dhe a është prekur dikush tjetër, prapë kanë rezultuar pozitivë 23 rezidentë dhe 9 anëtarë të stafit ku një nga ta kam qenë edhe unë, por e kam tejkaluar virusin në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Reshitaj. /Insajderi.com