Sportistë e diplomatë

Sportistë e diplomatë

Për një shtet që në radhët e ambasadorëve ka njerëz si Gjergj Dedaj, kjo thënie, jo që nuk është kompliment, por është gati ofendim për shumë sportistë, të cilët sivjet janë paraqitur në mënyrë dinjitoze, për dallim nga shumë diplomatë.

Mirëpo, është një deklarim tjetër politik dhe jo një klishe, që flet shumë më shumë për rëndësinë e sportit në shtet.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njërës nga  instancat më larta të mundshme të komunikimit diplomatik e zyrtar, deklaroi se “frymëzohem çdo ditë nga sportistët kosovarë të cilët na mësojnë se kthimi është i mundshëm edhe pas dështimit, se flamuri ynë mund të ngrihet edhe në vende që nuk e kanë njohur ende shtetin tonë”.

Sportistët sivjet kanë shkëlqyer dhe sfidat nëpër të cilat ata kanë kaluar nuk kanë qenë vetëm në fushën e lojës, por shpesh edhe jashtë saj.

Incidenti në Beograd, kur Serbia nuk lejoi zhvillimin e turneut të hendbollit për femra, ku duhej të merrte pjesë edhe Kosova tregoi se çfarë rëndësie mund të ketë sporti dhe sa në fakt është Serbia e gatshme për “normalizim marrëdhëniesh”.

Atmosfera e tensionuar u bart edhe në karate dhe në Kampionatin Evropian në Novi Sad, Kosovës iu ndalua pjesëmarrja, kurse për të dëshmua se Serbia nuk është vendi i vetëm në rajon që ka problem me Kosovën u përkujdes Bosnja e Hercegovina duke tentuar të ndalojë pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Evropian U16 në basketboll, qëllim të cilin nuk e arriti.

Sukseset e xhudistëve në Spanjë, Kinë dhe Argjentinë, medaljet e fituara ngritja e flamurit, intonimi i himnit dhe “imponimi” i Kosovës në agjendën sportive e mediale të këtyre vendeve dhe të gjithë kosovarët duhet të jenë krenar për atë që është bërë.

Sidoqoftë, duhet qenë korrekt dhe duhet thënë që shteti me sportistët nuk është korrekt dhe mburrja me sukseset e tyre tingëllon gati pafytyrësi, kur dihet se sa pak bëhet për tu ndihmuar në këto suksese.

Ministria e Sportit i ka mbetur shumicës së federatave për paratë që vetë ua ka nënshkruar për vitin 2018 dhe atyre që nuk u ka mbetur borxh, u ka transferuar paratë në fund të dhjetorit, kurse shumë prej tyre janë në borxhe pesë ose gjashtë shifrore.

Federatat tash shlyejnë borxhe për aktivitete që i kanë bërë gjatë gjashtë muajve të fundit, për të cilat e kanë pasur buxhetin e premtuar dhe nuk i kanë marrë paratë nga qeveria, kurse në rast të vonesave tjera, sërish vitin e ardhshëm hyhet në “minus”.

Qeveria e Kosovës me vendime dhe ligje i ka transferuar në pronësi Komunës së Prishtinës dy objekte të rëndësisë strategjike për sportin dhe shtetin – stadiumin që tash quhet Fadil Vokrri dhe Pallatin e Rinisë.

Praktika po tregon që Komuna e Prishtinës nuk ka lidhje se çka të bëjë me këto objekte, të cilat ka vite që i kërkon, bashkë me prona tjera të rëndësishme për sportin dhe jo vetëm.

Ligji për Sponsorizim në Kulturë, Rini e Sport ka qenë shpresa e madhe e sportit të Kosovës për të siguruar burime të qëndrueshme financimi dhe për të orientuar bizneset e mëdha kah përkrahja e sportit.

Edhe pse një nismë ambicioze dhe shumë e mirëpritur nga komuniteti i sportit, që e ka shtyrë në agjendë këtë ligj për më shumë se një dekadë, ky ligj është miratuar dhe nuk po zbatohet.

Federata e klube kanë humbur qindra mijëra në kontrata të sponsorizimit sepse sponsorët nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga lehtësirat tatimore që ligji i parasheh.

Në një Kuvend që nuk realizon as një të tretën e planit legjislativ është vështirë të parashihet se kur do të vijë në rend dite kjo çështje dhe bllokimi burokratik i saj, por është e sigurt se çdo vonesë, po i kushton sportit me ike të sponsorëve dhe burimeve të financimit.

Sukseset e sportistëve kosovarë janë arritur PËRKUNDËR pengesave burokratike dhe përkrahjes së vogël nga shteti dhe jo si rezultat i kësaj përkrahjeje, por kjo nuk i ka penguar të rinjtë që mund të jenë rritur në Kosovën e pasluftës,fëmijët që kanë lindur e janë rritur në vende të ndryshme të Evropës dhe trajnerë e administratorë të sportit që kanë kaluar nga livadhet e deri tek reflektorët, të bëhen bashkë në ekipe kombëtare të Kosovës dhe të nderojnë shtetin e tyre.

Ata janë shembulli emblematik i atdhedashurisë, sivjet na e kanë bërë zemrën mal dhe vitin e ardhshëm, nëse edhe atdheu i do e i përkrah ata më shumë, sukseset do të jenë të mëdha.

Shkruan: Leart Hoxha