fbpx

Vdes njeriu më i moshuar në botë – kishte lindur më 1905

Vdes njeriu më i moshuar në botë – kishte lindur më 1905

Njeriu më i vjetër në botë, japonezi Masazo Nonaka, ka ndërruar jetë sot në moshën 113-vjeçare. Familja e tij ka njoftuar se ai vdiq në mënyrë të qetë dhe nga shkaqe natyrore në orët e hershme të ditës së sotme përderisa ishte duke fjetur.

I lindur më 25 korrik 1905, Nonaka ishte rritur në një familje të madhe. Ai ka jetuar më gjatë se gruaja e tij dhe tre nga pesë fëmijët e tyre. “Ndihemi të shokuar nga humbja e kësaj figure të madhe. Ai ishte në gjendje të zakonshme dhe ndërroi jetë pa e trazuar familjen”, tha mbesa e tij, Yuko.

Ai kishte gjashtë vëllezër dhe një motër, ishte martuar në vitin 1931 dhe kishte pesë fëmijë me gruan e tij. Pas kalimit në pension, atij i pëlqente shikimi i ndeshjeve të mundjes dhe ngrënia e ëmbëlsirave.

Japonia është njëra ndër shtetet me jetëgjatësinë më të madhe të popullsisë në botë. Ky vend ka qenë atdhe i shumë njerëzve të njohur për moshën e tyre të vjetër.

Sipas libirit të rekordeve, “Guinness”, njeriu më i vjetër që ka jetuar ndonjëherë është francezja Jeanne Louise Calment, e cila kishte ndërruar jetë në vitin 1997 në moshën 122-vjeçare, shkruan “The Guardian”.