
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka arrestuar një 54 vjeçar, i dyshuar për therje me thikë të një 51 vjeçari në Vushtrri.
“Mbrëmë rreth orës 23:00, Policia ka marrë informatën se në Emergjencën në Vushtrri ka marrë tretman mjekësor një person i lënduar nga një mjet i mprehtë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në komunikatë.
Në vendin e ngjarjes Policia ka konstatuar se ka të bëjë me një rast vrasje në tentativë, nga mjeti i mprehtë që dyshohet të jetë thikë, ndërsa bën të ditur se ka pësuar lëndime personi E. Xh., 51 vjeçar, ku pas tretmanit fillestar në Emergjencën në Vushtrri, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Në kuadër të veprimeve të saj Policia thotë se ka arritur ta arrestojë të dyshuarin Sh. M., 54 vjeçar.
Personit të dyshuar me urdhër të prokurorit të Shtetit, i është caktuar masa e ndalimit policor dhe i është iniciuar rasti ‘vrasje në tentativë’.