Dëmet të cilat janë shkaktuar nga vërshimet që ndodhën para disa ditëve në Malishevë janë 540 mijë euro, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur në raportin e vlerësimit të cilin e ka bërë publik Komuna e Malishevës për vlerësimin e dëmeve gjatë vërshimeve të fundit.
“Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në ekonomitë familje, në vlerë prej 263 mijë e 600 euro, pastaj në biznese në vlerë prej 230 mijë e 300 euro, në bujqësi vlera e dëmit të vlerësuar është 11 mijë e 940 euro, në objekte publike 26 mijë euro dhe dëme tjera në vlerë prek 11 mijë euro”, thuhet në raport.
“Raporti i komisionit për vlerësimin e dëmeve:
Duke u bazuar në Aktvendimin e Kryetarit të Komunës së Malishevës të datës 12.01.2021, nr. 01/11, për formimin e komisionit për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqsit tjera në Komunën e Malishevës, komisioni menjëherë pas marrjes së këtij vendimi ka dalë në teren duke bashkëpunuar edhe me kryetarët e fshatrave, dhe ka bërë vlerësimin e të gjitha dëmeve të shkaktuar nga reshjet e shiut dhe të borës. Komisioni i përbërë prej 5 anëtarëve, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktvendimi, ka dalë në teren dhe e ka bërë vlerësimin sipas kategorive të ndryshme: Gjatë kësaj kohe kemi bërë mbi 116 vlerësime të dëmeve”, bëhet e ditur tutje nga ky komision. /Insajderi.com