6 kryetarë komunalë të pranishëm në mbledhjen me ministrin Vitia – shprehen kundër mbylljes totale

6 kryetarë komunalë të pranishëm në mbledhjen me ministrin Vitia – shprehen kundër mbylljes totale

Kryetarët komunalë të pranishëm në takimin e sotëm të mbajtur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i kanë kundërshtuar masat e parapara nga niveli qendror.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili shton se brenda këtij takimi është kërkuar që niveli qendror t’i përkrahë komunat me rreth 200 mijë inspektorë shtesë në mënyrë që masat aktuale të zbatohen.

Ibrahimi tutje tha se si asociacion nuk kanë qenë të ftuar në këtë mbledhje të mbajtur virtualisht, derisa beson që “mekanizmat konsultativ ende nuk janë shterur” dhe presin që t’i telefonojnë.

I pari i AKK-së tha se janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror, mirëpo janë kundër mbylljes totale.

“Vetëm gjashtë kryetarë kanë marrë pjesë në takimin e mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë. Kryetarët të cilët kanë qenë të pranishëm aty i kanë kundërshtuar masat e parapara nga niveli qendror. Janë kundër izolimit që është parashikuar dhe kërkojnë që niveli qendror t’i përkrahë komunat me rreth 200 inspektorë shtesë në mënyrë që masat aktuale të zbatohen në plotni. Ne po besojmë se këta nuk mund të thonë që i kanë konsultuar komunat me gjashtë kryetarë. Neve si asociacion nuk ka kanë ftuar në takim, kemi qenë vetëm në CC të email-it dhe besojmë që mekanizmat konsultativ nuk janë shterur ende, duhet të na telefonojnë, ne jemi të gatshëm si çdoherë të bashkëpunojmë me nivelin qendror në mënyrë që të zbatohen masat, mirëpo jemi kundër mbylljes totale”, ka thënë Ibrahimi për redaksinë. /Insajderi.com