6 vite në gjykata – Orvatjet e Ramadan Mujës me drejtësinë dhe politikën

6 vite në gjykata – Orvatjet e Ramadan Mujës me drejtësinë dhe politikën

Ramadan Muja nisi të harrohej. Ish-kryetar i Prizrenit, pasi nuk u nominua për kryetar të “Jerusalemit të PDK-së”, vazhdoi orvatjet me drejtësinë.

Në fakt përgjatë dy mandateve Ramadan Muja veç në komunë, pjesë të madhe të kohës kaloi edhe nëpër Gjykata.

Në vitin 2012 Gjykata Themelore e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Prizrenit aso kohe, dhe pesë ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune: Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi.

Përkundër se me aktakuzë Muja kishte fituar edhe në zgjedhjet e vitit 2014, shkruan Gazeta Insajderi.

Kjo kishte bërë që kryetari i Prizrenit pothuajse gjithë mandatin e dytë ta kalonte nëpër Gjykata.

Në vitin 2014 Ramadan Muja ishte dënuar me burgim me kusht prej dy viteve, duke iu ndaluar edhe ushtrimi i funskioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Vlera e disa prej tokave për të cilat ish-zyrtarët komunalë prizrenas akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare kap shumën prej rreth 200,000 euro.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Herë pjesëmarrje nëpër gjykata, herë i sëmurë, e duke insistuar që ai është i pafajshëm. Kështu mund të përshkruhen 3 vitet e fundit të Ramadan Mujës.

Përderisa në herën e parë ishte dënuar me dy vite burgim me kusht, vendimi i sotëm ka qenë edhe më i vogël për ish-liderin e Prizrenit.

Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, është dënuar me 1 vit burgim unik me kusht, pasi është gjetur fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Muja është gjetur fajtor në dy pika të dispozitivit, e nga dy të tjera është liruar nga akuza.

Fajtor janë shpallur edhe të akuzuarit e tjerë, Minir Krasniqi, Avni Ademaj e Sadik Paqarizi, që të gjithë dënime me kusht.

Ademaj 5 muaj, Paqarizi 6 muaj dhe Krasniqi me 6 muaj me kusht.

Ramdan Muja në zgjedhjet lokale që u mbajtën para një viti, nuk ishte kandiduar për kryetar nga PDK-ja.

Në vend të tij garoi Shaqir Totaj i cili humbi me një diferencë të vogël votash, përballë Mytaher Haskukës së VV-së. /Insajderi.com