6 vjet nga vendimi i Kushtetueses për “kontestin” ndërmjet PDK-së dhe LAN-it

6 vjet nga vendimi i Kushtetueses për “kontestin” ndërmjet PDK-së dhe LAN-it

Janë mbushen gjashtë vjet qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin për “kontestin” ndërmjet PDK-së dhe LAN-it.

Vendimi final i Kushtetueses nuk dalloi nga njoftimi i datës 22 gusht 2014 ku zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës u cilësua antikushtetuese.

Kushtetuesja vendosi në favor të PDK-së, duke publikuar të plotë vendimin e saj në ueb-faqen e saj përkitazi me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014.

Në vendimin final Gjykata Kushtetuese nuk jep sqarime nëse në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit nga një grup parlamentar, e drejta t’i kalohet grupit tjetër, që rrjedhimisht askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me rregulloren relevante të Kuvendit dhe ta bëjnë Kuvendin funksional”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë për media, blloku i partive në koalicion LDK-AAK-Nisma, vlerësoi se me aktgjykimin e Kushtetueses, të publikuar më datën 26 gusht 2014, hapej rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

“Aktgjykimi, në veçanti në pikat 126 dhe 127, saktëson të drejtën dhe detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave. Koalicioni LDK-AAK-Nisma, bashkë me partnerët, do të vijojë punë për të finalizuar ndërtimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e të zgjedhurve të popullit të Kosovës. Koalicioni dhe partnerët janë të përkushtuar që institucionet të ndërtohen sa më parë, me qëllim që të jenë në funksion të interesave të qytetarëve te Kosovës”, thuhej në reagim.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka konstatuar se seanca konstituive e filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1), të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë aktgjykim.

Vendimi i plotë i Kushtetueses:

www.gjk-ks.org/repository/docs/gjkk_ko_119_14_shq.pdf