60 profesionistë shëndetësorë nga Kosova do të vaksinohen në Kukës

60 profesionistë shëndetësorë nga Kosova do të vaksinohen në Kukës

60 profesionistë shëndetësorë nga Kosova kanë shprehur gatishmërinë për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër Coronavirusit në Kukës, përcjell Insajderi.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se lista është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

“Ministri Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre”, thuhet në njoftim për medie të MSH-së.

Tutje, në njoftim thuhet se ndërkohë, do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova.

Kosova është shteti i vetëm në Evropë që ende nuk ka filluar procesin e vaksinimit.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ditë më parë ka thënë se vaksinat do vijnë gjatë muajit mars./Insajderi.com