Gjykata e Apelit ia vërteton dënimin edhe Sami Lushtakut

Sami Lushtakut i është vërtetuar dënimi për krime lufte. I janë rritur edhe vitet që duhet të kalojë në burg për vrasjen e një civili shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet.

Gjykata e Apelit ia vërteton dënimin edhe Sami Lushtakut

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me burgim edhe Sami Lushtakut, kanë thënë burime të Insajderit brenda kësaj Gjykate.

Përveç vërtetimit të dënimit për vrasjen e një civili shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet, sikurse nuk dihet as vendi i saktë ku është vrarë, Gjykata ia ka rritur dënimin prej 12 vjetësh kryetarit të paraburgosur të Skenderajt.

Lushtaku, që ka qenë komandant i Zonës Operative të Drenicës është dënuar dhe po mbahet në paraburgim së bashku me bashkëluftëtarë tjerë të “Grupit të Drenicës”. Midis tyre edhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Selimit ndërkohë i është vërtetuar dënimin në rastin “Drenica 2”. Do të vuaj gjashtë vjet burgim. Ai, e ka të hapur procesin edhe në “Drenica 1” së bashku me Lushtakun dhe të tjerët.

“Edhe në rastin ‘Drenica 1’ nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë një burim brenda Gjykatës së Apelit.

Të hënën Gjykata e Apelit publikoi aktgjykimin kundër Sylejman Selimit, ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe të tjerëve. Selimit i është ulur dënimi nga tetë, në shtatë vjet burguim, ndërsa Isni Thaqit nga 7, në 6 vjet e 6 muaj. Ndërsa, Zeqir e Jahir Demakut nga 7 vjet në 6 vjet.

Apeli po ashtu ia ka konfirmuar dënimet Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj të dënuar me nga tri vjet burg, ndërsa edhe Fadil Demakut dhe Nexhat Demaku iu është konfirmuar dënimi me burgim prej nga 3 vjet.

Aktgjykimi për rastin e dytë pritet të publikohet ditët në vazhdim.

Në aktgjykimin e shkallës së parë jepen detaje se për çfarë krimi u dënua Sami Lushtaku.

“Sami Lushtaku është fajtor për veprimin kriminal në vijim: duke vepruar në mënyrë brutale, i mori jetën me dashje një mashkulli të paidentifikuar që flet shqip, rreth moshës 40 vjeçare, në atë mënyrë që i ka vënë në kokë pistoletën e tipit TT, gjersa mashkulli kishte duart e lidhura dhe ruhej nga dy ushtarë të paidentifikuar të UÇK-së dhe pastaj ka shkrepur tri të shtëna në kokën e mashkullit dhe me këtë ka shkaktuar vdekjen e tij, në një lokacion të pacaktuar ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc, në një datë të pacaktuar në shtator të vitit 1998 dhe ky veprim klasifikohet si vrasje”, thuhet në aktgjykim. “Për këtë vepër… Sami Lushtaku dënohet me 12 vjet burgim”.

Aktgjykimi vërteton ekzistimin e një qendre ndalimi të UÇK-së në Likoc në të cilën ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile, shqiptarë të Kosovës, mes tjerash, duke e cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e disa civilëve, kurse për disa të pandehur të tjerë, duke e vrarë një polic serb dhe një person tjetër civil, vepra këto që është pretenduar se janë kryer ndërmjet muajve qershor dhe shtator të 1998-s.

Në qershor të vitit të kaluar Sami Lushtaku kishte akuzuar bashkëpartiakët e tij për dënimin, me anë të një letre nga burgu.

Kishte akuzuar ministra dhe zëvendësministra se kanë dhënë kontribut të madh kundër tij dhe të tjerëve duke lobuar me agresivitet në Ambasada dhe në EULEX, për një kohë të gjatë. Dhe kjo, sipas tij i ka dhënë frytet e duhura, ose të pritura, të tyre.

“Pa përkrahje mediale. Pa përkrahje publike. Dhe pa përkrahje të duhur politike. Qoftë edhe kur dënohemi në mënyrë absurde, për vrasje të personave të panjohur. Kjo ka ndodhur sepse ndaj nesh ‘procesi gjyqësor’ ka zgjatur plot 10 vjet. Të gjitha vjedhjet, keqpërdorimet, abuzimet, tenderët etj., të realizuara më mjeshtri nga eksponentë të PDK-së na janë faturuar ne. Dhe meqë kjo nuk ka mundur të argumentohet, sepse nuk kishte ndodhur, atëherë me dëshmitarë të përpunuar na dënuan për krime të luftës”.

Kryetari i Skenderajt kishte thënë se dënimi prej 12 vjetësh për vrasjen e një civili me duar të lidhura dhe të paarmatosur është i vogël. Kishte thënë se do të propozonte dënim më të lartë.

“Sidomos kur përballësh me procese gjyqësore të çuditshëm për sistemet bashkëkohore të drejtësisë. Kur je i detyruar të mbrohesh për vrasje të panjohura, siç ishte rasti më mua. Kur detyrohesh ta argumentosh se nuk e ke vrarë një civil, që askush nuk e njeh kush është ai. Kur askush nuk e njeh familjen e tij. Kur askush nuk e kërkon. Sepse ai nuk ekziston”, kishte thënë Lushtaku.

Kryetari i Skenderajt kishte thënë se duhet të hetohen të gjitha krimet, por sipas tij është gabim i rëndë “që të hetohemi dhe të gjykohemi për çfarë kemi bërë në luftë, nisur nga paragjykimet se çfarë kemi bërë pasluftës”.

“Sigurisht se pushteti të konsumon”, kishte konstatuar Lushtaku. “Një dekadë qeverisje e PDK, pjesë e së cilës jam edhe më tutje, ka krijuar kundër nesh emocione të forta negative. Dhe nuk janë vetëm kundërshtarët politikë që kanë krijuar kundër nesh, të njohur si ‘krahu i luftës’, opinione të ashpëra negative”.

Si pasojë e vërtetimit të aktgjykimeve, Drenasi dhe Skenderaj pritet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Dënimi me burg, më shumë se 6 muaj ua pamundëson Sami Lushtakut dhe Nexhat Demakut të ushtrojnë funksionin e kryetarit.

Kësisoj presidenti Hashim Thaçi është i obliguar me Ligjin për Vetëqeverisje lokale që brenda 45 ditësh, të shpallë zgjedhje të parakohshme në këto dy komuna./Insajderi.com