Gjatë muajit korrik pritet të funksionalizohet pajisja elektronike përmes së cilës do të menaxhohen parkingjet publike afër vendbanimeve në Prishtinë, njofton Insajderi.
Përdorimi i këtij programi kompjuterik fillimisht do të nisë në rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit, thuhet nga drejtuesit e ndërmarrjes Parking Prishtina në emisionin 038 në KTV.
Banorët e ndërtesave kolektive do të pajisen me një kartelë dhe përmes një aplikacioni online do të identifikohen si shfrytëzues të rregullt të parkingut.
Sipas rregullores së re, për banorët e qendrës çmimi mujor për shfrytëzimin e parkingjeve është 10 euro, kurse 100 euro pagesa vjetore, ndërs në në zonën e dytë, lagjet si “Dardania”, “Ulpiana” e “Bregu i Diellit”, pagesa mujore për banorët rezidentë është 7 euro, ndërsa ajo vjetore 70 euro.
Kurse banorët jorezidentë për të parkuar automjetet në qendër duhet të paguajnë 1 euro orën, të cilët në një vendparkim mund të qëndrojnë vetëm dy orë. Ndërsa në zonën e dytë çmimi është 50 centë për orë. /Insajderi.com