8 vjet pas koncesionimit, Limak e lë të rrezikuar Aeroportin për fluturime

8 vjet pas koncesionimit, Limak e lë të rrezikuar Aeroportin për fluturime

Në prill të vitit 2010 aseti i vetëm publik i Kosovës i cili është dhënë në koncesionim nga Qeveria e Kosovës, Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës, ishte në prag të dhënies në pronësi të kompanive private.

Në fillim të majit të së njejti vit, saktësisht me 14 maj, Qeveria e Kosovës kishte shpallur fitues konsorciumin turko-francez, “Limak-Aeroport de Lyon”, që premtoi investimin e 100 milionë eurove për modernizimin e aeroportit.

Fakti se kompania “Calik Limak” ishte kompania që drejtohej nga njerëz të afërm me kryeministrin të atëhershëm turk tash president Recep Tayiip Erdogan, kishte bërë bujë, duke ngritur dilemat se dhënia me koncesion e Aeroportit ka qenë një kontratë e dyshimtë.

Tetë vite më pas, Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës që në vitin 2013 kur u hap me pistën e re e mori emrin e komandandit “Adem Jashari”, ka një pistë të re, por shumë prej projekteve të parapara me kontratën e vitit 2010 nuk janë përfillur.

Madje fakti se kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë që ka koncesionuar Aeroportin që është pronë e njerëzve të Erdoganit, pranohet edhe nga vet zyrtarët e shtetit.

Ilir Rama, udhëheqës i Njësitit të Partneritetit Publiko Privat në Ministrinë e Financave, ka treguar për emisionin “Jeta në Kosovë” se cilat pjesë të kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe “Limakut” ende nuk janë përmbushur.

“Pjesa më e madhe është kryer. Një pjesë e vogël e cila në fund të pistës që quhet resa që për sigurinë gjatë aterrimit të aeroplanëve nuk është përfunduar, me kërkesën e MI ka qenë që të shqyrtohet zgjatja e pistës… Nuk ka qenë vetëm resa që nuk ka përfunduar, janë edhe pjesët anësore dhe një pjesë…, një maket për trajnimin e zjarrfikësve”, tha Rama.

Ai po ashtu renditi disa prej obligimeve që koncesionuesi i ka në bazë të kontratës.

“Fillimisht projekti ka pasur të përcaktuar se çka duhet të përmbush partneri privat dhe aty ka qenë terminali i ri me të paktën një numër të caktuar të metrave katrorë, pastaj kulla e kontrollit ajror dhe ndërtesat administrative, platformat e reja për parkimin e aeroplanëve, parking për të paktën 1750 automjete, impianti për trajtimin e ujërave të zeza…” , tha Rama.

Se kontrata nuk është përmbushur tregojnë edhe njerëzit që kanë qenë në krye të kësaj ndërmarrje.

Bujar Ejupi, ish-zëvendësdrejtor për Administratë dhe Financa në ASHNA ka rrëfyer ekskluzivisht për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, një varg shkeljesh që sipas tij kanë ndodhur në kontratën e Qeverisë së Kosovës me kompaninë ‘Limak’.

Ejupi pretendon se u largua nga puna për shkak të ngritjes së këtyre çështjeve.

Sipas Ejupit terminali i ri i APN, i ndërtuar pas këtij koncesionimit është një ‘fasadë’, që mbulon parregullsitë në dëm të shtetit dhe parasë publike.

“Koncesionimi është një storie e suksesit, së paku medial, për shkak se një terminal i mirë që na pëlqen krejtve, një terminal i cili duket që është si terminal që i përngjanë terminalit botës, kështu që është storie e suksesit, është storie e suksesit e cila u tregu në media… por është edhe një pjesë tjetër të cilën po ashtu njerëzit e aviacionit e shikojnë”, tha Ejupi.

Ai përmendi disa elemente teknike që kanë të bëjnë me sigurinë e aviacionit që sipas tij nuk janë përmbushur siç ishin paraparë në kontratën e koncesionimit.

“Është shumë brengosëse që nuk është kryer. Është shumë e thjeshtë, dhe e rëndësishme sikurse zgjerimi i ‘taxi ëay’. Dmth pista, vendi ku ateron aeroplani, masi që të ateron e bënë manovrimin dhe këtë nuk e bënë përmes pistës por me rrugë ndihmëse”, ka thënë Ejupi.

“Është cështje e një milioni e më shumë, ky investim që nuk është kryer”, ka shtuar ai.

E sipas kontratës së vitit 2010 nga investitori është kërkuar që të operojë me oferta të zgjeruara të shërbimeve dhe me cilësi të lartë.

Në ceremoninë që ishte organizuar me këtë rast, kryeministri atë kohë, Hashim Thaçi kishte se me investimet që do të bëjë konsorciumi fitues, qytetarët e Kosovës do të përfitojnë një terminal të ri dhe hapësirë të zgjeruar në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas tij, kjo t’i kontribuojë zhvillimit të mëtejmë të trafikut ajror të Kosovës dhe zhvillimit ekonomik të vendit, por të dhënat e tashme tregojnë se kjo nuk ka ndodhur.

Me pretendimet e Thaçit tashmë pajtohet vetëm drejtori i kompanisë ‘Limak Kosovo’ që koncesionoi Aeroportin e Prishtinës i cili thotë se investimi në APN e ka bërë atë një nga më të mirët në Ballkan.

Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Haldun Firat Kokturk përmendi shifrat që sipas tij paraqesin fitimet e Qeverisë së Kosovës nga marrëveshja me Limak.

“Deri më tani ne po paguajmë 39.5 për qind të të ardhurave bruto të mbledhura duke ia transferuar Qeverisë së Kosovës. Deri më tani shuma totale e transferuar në buxhetin e Kosovës është 77.7 milionë euro”, tha Kokturk. Por kjo është vetëm një nga nenet e marrëveshjes./Insajderi.com