70 për qind e stafit të QKMF-së në Prishtinë e kanë kaluar COVID-19

70 për qind e stafit të QKMF-së në Prishtinë e kanë kaluar COVID-19

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF), Rrezart Halili, ka thënë se 70 për qind e stafit shëndetësor kanë kaluar virusin, përcjell Insajderi.

Halili ka thënë se janë ballafaquar me mungesë të stafit gjatë kësaj kohë, për çka ka falënderuar edhe komunën e Prishtinës që u ka ndihmuar me staf mbështetës.

“QKMF-ja ka pasur sfidat e veta, virusin e kanë kaluar 70 për qind e stafit shëndetësor, do të thotë me një mungesë të tillë të punëtorëve gjatë kësaj kohe të pandemisë ka qenë mjaft sfiduese, duke arritur t’i kryejmë shërbimet e duhura, këtu edhe falë mbështetjes së komunës së Prishtinës që na ka lehtësuar me staf mbështetës”, ka thënë ai.

Tutje Halili, ka theksuar se mbi 60 për qind e stafit janë vaksinuar, si dhe beson se kjo do të krijojë stabilitet sa i përket organizimit të punës.

“Mbi 60 për qind të stafit janë vaksinuar, duke përfshirë edhe veten time. Me këtë numër të imunizimit edhe numrin të cilin vetëm e kanë kaluar virusin, besoj se do ketë një stabilitet sa i përket organizimit të punë së mirëfilltë sa i përket Qendrave të Mjekësisë Familjare”, ka pohuar ai për EO.

Ai tha se hapja totale e vendit bëhet vetëm duke u koordinuar bashkërisht që situata me pandeminë të lehtësohet.

“Unë mendoj që luftimi i pandemisë dhe hapja sa më e shpejtë e shtetit tonë është një imunizim i mirëfilltë i koordinuar mirë dhe i pranuar mirë nga qytetarët duke mos folur lidhur me efektet e imunizimit apo vaksinës, se sa ajo do na jep neve siguri që ne të ardhmen të mendojmë për reformat tjera shëndetësore”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com