8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

Artisti kosovar që ka bërë karrierë ndërkombëtare, Sislej Xhafa u rikthye në Kosovë pas shumë vitesh me një ekspozitë të madhe, të paren në vendlindjen e tij të titulluar “Të dua pa e ditur”, por një vepër e tij në këtë ekspozitë ka ngjallur reagime të ashpra.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

Të shtunën e 14 korrikut Prishtina ishte terrorizuar nga 1 ton fishekzjarrë të lëshuara nga banka “Procredit” që festoi përvjetorin e saj të funksionimit duke ngjallur edhe protesta nga qytetarët që janë ankuar për ndotje të ajrit.

Por zhurmën e tyre më së keqi e kanë përjetuar 2 lopë e 6 viça të cilat kanë qenë të ngujuar as 200 metra larg vendit ku kanë shpërthyer fishekzjarrët. Ato janë të ngujuara edhe në shi e temperatura të larta që prej 5 korrikut kur edhe është hapur ekspozita, dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë aty të ngujuar deri më 5 gusht, kur edhe do të mbyllet ekspozita e artistit Sislej Xhafa.

“8 lopë Kosove” titullohet vepra e tij, e cila është e vendosur në oborrin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Aty është ndërtuar një ahur në të cilën qëndrojnë 8 lopë të mbyllura, teksa ato mund të shihen vetëm nga brenda Galerisë, ku është thyer muri për të krijuar një dritare.

Përtej vlerës artistike të kësaj vepre/instilacioni i cili nuk është sqaruar as nga vetë artistit Xhafa, përdorimi i lopëve për një vepër artistike, duke i mbajtur ato të mbyllura për një muaj sa do të qëndrojë e hapur ekspozita, ka nervozuar aktivistë për të drejtat e kafshëve.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

“8 lopë Kosove” titullohet vepra e tij, e cila është e vendosur në oborrin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Aty është ndërtuar një ahur në të cilën qëndrojnë 8 lopë të mbyllura, teksa ato mund të shihen vetëm nga brenda Galerisë, ku është thyer muri për të krijuar një dritare. E krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro.Lexo tekstit me detaje: https://goo.gl/Bqbtt7

Posted by Insajderi on Thursday, 19 July 2018

Në grupin “Të bashkuar për kafshët”  në rrjetin social “Facebook”, dhjetëra komente janë bërë kundër mbajtjes mbyllur të lopëve.

E krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, buxheti nga Galeria Kombëtare e Kosovës që funksionon brenda MKRS-së për këtë ekspozitë ka qenë 28 mijë e 583 euro.

Ambasada Amerikane në Kosovë ka përkrahur këtë ekspozitë me 4 mijë e 373 euro për honorarin, udhëtimin dhe akomodimin e artistit dhe kuratorit. Sislej Xhafa, sipas MKRS-së, ka marrë 2 mijë euro ndërsa kuratori 5 mijë euro. Ekspozita është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës me 5 mijë euro.

“Buxheti gjithëpërfshirës për ekspozitën është 37.957.04 euro”, kanë thënë nga Zyra për Media e MKRS-së.

Insajderi ka pyetur zyrtarë të Galerisë së Arteve të Kosovës por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, teksa vetë artisti është shprehur i nervozuar me pyetjet që ia kemi dërguar.

Xhafa i cili prezantimin e fundit si artist ndërkombëtar e ka pasur në Bienalen e Arteve në Venecia ku përfaqësoi Kosovën me një vepër që i dedikohet të pagjeturve, i ka quajtur “llafe të kafeve” .

Fillimisht ka kërkuar që të hulumtohet më shumë dhe ka dhënë disa këshilla sesi duhet të punojë një gazetar.

“A ki hy në ahër brenda me pa përkujdesjen që është 24h..? Atëherë përpara se të japish konkludime,  kërkoja prej Galerisë me vizitu ahurin. Ata ta japin guided tour. I viziton lopët e ti si gazetar profesional  është mirë që të kesh edhe etikë profesionale. Hulumto ma shumë”, ka thënë Xhafa në pyetjet e Insajderi se cili është komenti i tij në lidhje me reagimet në Prishtinë.

“Me thashetheme nuk mirrem”, ka shtuar ai. Insajderi ka qenë në Galerinë e Arteve, por drejtoresha e këtij institucioni edhe pse fillimisht ka pranuar të flasë, më pas i ka rënë pishman.

Megjithatë, kur Insajderi ka dashur ta intervistojë pronarin e lopëve që janë duke u përdorur për veprën e Xhafës, drejtoresha Arta Agani është munduar ta mësojë sesi të flasë e çka të thotë. Madje, e ka këshilluar që as mos të përmendet fakti se lopët kanë qenë të mbyllura aty kur janë shpërthyer mbi 1 ton fishekzjarrë, as 200 metra larg.

E pronari i lopëve, nuk arrin të gënjejë. Përkundër instruksioneve nga Galeria që të thotë se “as ai kurrë nuk i lëshon lopët nga ahuri” tek shtëpia e tij, Sylejmani megjithatë tregon të vërtetën.

“Verës i lëshojmë në livadhe, por dimrit jo”, thotë ai, teksa shpjegon se po përkujdeset për to çdo ditë, por vetëm brenda ahurit. Ndërkaq, aktivistët nga “Të bashkuar për kafshët” kanë paralajmëruar protestë kundër Galerisë dhe mbajtjes së lopëve mbyllur.