Koha e kaluar prej afër një dekade qysh kur u nënshkrua marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, nuk e ka zbehur intensitetin e kërkesës së Bashkimit Evropian për ta jetësuar këtë marrëveshje.
“Gjithçka që është rënë dakord duhet të zbatohet”, ka thënë Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, duke vënë theksin pikërisht në marrëveshjen 15 pikëshe, brenda së cilës është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Tani është koha për të ecur përpara dhe për ta çuar këtë proces (Dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve) në një fund të suksesshëm”, thotë Stano.
Duke folur në emër të BE-së, por edhe të shteteve anëtare veç e veç, Stano shton se “BE dhe shtetet e saj anëtare presin që dialogu të vazhdojë së shpejti dhe ta shohë Prishtinën dhe Beogradin të angazhohen seriozisht në të”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me palët drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thotë Stano.
Se duhet zbatuar i gjithë pajtimi i arritur më 19 prill të 2013-tës thotë edhe Shefi i Stafit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Bekim Çollaku, i cili, në atë kohën kur marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri, Hashim Thaçi, ishte këshilltar i lartë politik i tij.
Çollaku tregon për Gazetën Online Insajderi se synimi kryesor i palës kosovare në këto negociata ishte “zhbërja e strukturave paralele dhe vendosja e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore”.
Në këtë kontekst ai përmend edhe marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe e arritur në vitin 2013 në Bruksel. Thotë se po u zbatua në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës “nuk paraqet asnjë problem për rendin tonë kushtetues dhe ligjet në fuqi”.
“Thelbësore është që ky asociacion të mos ketë asnjë fuqi ekzekutive, mirëpo të themelohet në mënyrë të ngjashme me statutin ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, tha Çollaku për redaksinë.
Ai foli edhe për dilemat kryesore dhe anët pozitive të nënshkrimit të kësaj marrëveshje në kohën kur këshillonte Thaçin.
Pohon se negociatat kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe të përcëlluara me tensione të vazhdueshme.
“Mirëpo në fund është arritur një kompromis minimal, i cili ka mundësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje e cila si qëllim parësor ka pasur jo vetëm vendosjen e një kornize parimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo edhe zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë në veri të vendit tonë të cilat deri në atë kohë financoheshin dhe kontrolloheshin nga Serbia”.
I pyetur nëse mendon se qeveria me në krye Albin Kurtin do të mund ta shmangë Asociacionin e Komunave në bisedimet që pritet të fillojnë së shpejti në Bruksel, Çollaku mendon që “delegacioni shtetëror i Kosovës nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë që çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të shtrohet për diskutim përsëri në kuadër të vazhdimit të procesit të dialogut”.
“Në rast se kjo çështje rihapet dhe ri-negociohet, atëherë kam frikë se Serbia do të bëj çmos që këtij asociacionit t’i jep kompetenca ekzekutive. Prandaj, kjo çështje duhet të konsiderohet e mbyllur dhe e njëjta duhet të zbatohet në praktikë në përputhje me parimet e pajtuara dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Insajderi ka provuar të flasë edhe me ministren e atëhershme për Dialog, Edita Tahiri. Ajo nuk ka dashur të komentojë. “Kam folur mjaft në këtë temë, tash është koha e qeverisë së re të flas”, ka thënë ajo.
Redaksia ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, por që të njëjtët nuk kanë qenë të qasshëm.
Marrëveshja e 19 prillit të 2013-së në 15 pikat e saj fliste për formimin e Asociacionit, strukturën e Asociacionit dhe njëkohësisht shpërbërjen e strukturave paralele në Veri./Insajderi.com