813 biznese kundërshtojnë rifiskalizimin

813 biznese kundërshtojnë rifiskalizimin

Mbi 800 biznese në Kosovë e kanë kundërshtuar fiskalizimin e ri, që është paraparë me pakon e re fiskale, përmes së cilës detyrohen që të heqin arkat e vjetra për të blerë pajisjet e reja fiskale.

Këto biznese përmes një letre dërguar Ministrit të Financave Avdullah Hoti dhe drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj këtij procesi.

“Duke pasur parasysh se ne jemi tatimpagues të rregullt të fiskalizuar me arka dhe printer fiskal që në fillim të aktivitetit tonë biznesor, e shohim si të dëmshme dhe jo qëllim mirë ndryshimin e udhëzimit administrative për arka fiskale i cili do të na imponojë heqjen e arkave ekzistuese dhe vendosjen e sistemit të ri fiskal”, thuhet në këtë letër.

Këto biznese thonë se nuk lejojnë çfarë do kosto shtesë për fiskalizim të cilën e konsiderojnë të panevojshme, pasi thonë se janë deklarues të rregullt të çdo shitjeje në ATK.

“Vendosjen e sistemit të ri fiskal e konsiderojmë të dëmshme për biznesin tonë për shkak të kostos së lartë dhe ju njoftojmë se të njëjtën do ta kundërshtojmë në çdo formë”.

“Ky është mosbesim ndaj nesh si tatim-pagues të rregullt dhe rëndesë shtesë në një kohë kur presim që Qeveria të ndihmojë bizneset tona me lehtësira në të bërit biznes dhe jo na rëndojë me kosto shtesë për një raportim të cilin e kryejmë përmes arkës fiskale”, thuhet më tej në këtë letër. /Insajderi.com