Dy gjyqtarë vendës te Gjykatës Supreme e kanë mbivotuar kolegun e tyre të EULEX-it dhe e kanë prishur këtë rast të krimit të organizuar me përmasa ndërkombëtare me arsyetimin se ka pasur shkelje të ligjshmërisë nga ana e gjykatës së shkallës.
Urologu Lutfi Dervishi dhe i biri i tij, Arbani, mund t’i japin fund arratisë së tyre dhe lirisht të kthehen në Kosovë.
Këtë ua ka mundësuar Gjykata Supreme e Kosovës e cila e ka prishur aktgjykimin shkallës së parë dhe shkallës së dytë dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Dy gjyqtarë vendës e kanë mbivotuar kolegun e tyre të EULEX-it dhe e kanë prishur këtë rast të krimit të organizuar me përmasa ndërkombëtare me arsyetimin se ka pasur shkelje të ligjshmërisë nga ana e gjykatës së shkallës.
Insajderi ka mësuar se lënda është kthyer në rigjykim në mes yë këtij muaji.
Rasti i trafikimit ndërkombëtar të njerëzve me qëllim të heqjes së veshkave në klinikën Medicus në Prishtinë ishte zbuluar rastësisht në vitin 2008 nga Policia e Kosovës kur një të riu turk që i ishte hequr veshka i kishte rënë të fikët në Aeroportin e Prishtinës.
Hetimet i kishte nisur UNMIK-u dhe rasti ishte transferuar tek EULEX-i
Avokati i Arbvan Dervishit, Petrit Dushi e ka konfirmuar për Insajderin prishjen e aktgjykimit të cilin e ka cilësuar si lajm të mirë, për shkak se sipas tij provat janë mbledhur në mënyrë të paligjshme.
“Është prishur aktgjykimi i shkallës së parë dhe shkallës së dytë dhe janë anuluar të gjitha vendimet tjera. Lënda është kthyer në rigjykim”, ka thënë ai.
“Supremja ma ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe se vendimi ka qenë i kundërligjshëm. Vendimi është marrë më 16 dhjetor”, ka saktësuar ai.
Gjykata kishte dënuar urologun Lutfi Dervishit, djalin e tij Arban Dervishin dhe anesteziologun Sokol Hajdinin më 20 vjet e tre muaj burgim.
Vetëm njëri prej të akuzuarve, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj ishte shpallur i pafajshëm. Të tjerët ishte konstatuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Arkadiusz Sedek kishte shpallur fajtor pesë persona fajtorë në rastin Medicus. Urologu Lutfi Dervishi për akuzën e krimit të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim trupor.
Dervishi ishte dënuar me tetë vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë. Gjykata ia kishte ndaluar ushtrimi i profesionit të urologut për dy vjet pas vuajtjes së dënimit.
Djali i tij Arban Dervishi ishte shpallur fajtor po ashtu për trafikim me njerëz dhe krim i organizuar, derisa u lirua nga akuza për lëndime të rënda trupore. Për këto vepra ishte dënua me shtatë vjet e tre muaj burgim dhe gjobitje në shumë 2,500 euro.
Anesteziologu Sokol Hajdini është dënuar më tri vjet burgim për lëndim të rënd trupore, përderisa është liruar nga akuza për krim të organizuar.
Anesteziologu tjetër Islam Bytyqi është shpallur fajtor për akuzën Lëndime të rënda trupore dhe është dënuar me një vit burg me kusht. Akuza për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor është hedhur poshtë. Dënimi nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale për periudhën dy vjeçare.
Edhe kolegu i tij Sulejman Dulla ishte shpallur fajtor për akuzën lëndime të rënda trupore. Akuza për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor ishte hedhur poshtë për shkak të parashkrimit. Ai ishte dënuar me një vit burgim me kusht.
Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj është liruar nga akuza për Keqpërdorim të Pozitës apo Autoritetit Zyrtar. Akuza për Falsifikim të Dokumenteve ishte hedhur poshtë për shkak të parashkrimit.
Por edhe sikur mos të parashkruhej, gjykata kishte thënë se do të shpallej i pafajshëm pasi nuk është vërtetuar se ka kryer ndonjë vepër penale.
Akuzat kundër kirurgu Driton Jilta ishin refuzuar për shkak të parashkrimit absolut të veprave penale.
Në shtator të këtij viti autoritetet kosovare lëshuan urdhërarrest ndërkombëtar për urologun Lutfi Dervishi dhe djalin e tij, Arban Dervishi, pasi ata nuk kishin shkuar në vuajtje të dënimit. Të dy, ndodhen ende në arrati. Por, tash mund të kthehen lirisht./Insajderi.com