Koordinatorja për zgjedhje, Laura Pula, ka njoftuar se 88 prokurorë kujdestarë do të jenë angazhuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Siç njoftoi Pula, ata do të përcillen nga 40 staf mbështetës, ku do të punojnë në ekipe të përbashkëta me hetuesit e policisë.
Këto i bëri të ditura ajo gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë).
Në njoftimin për medie bëhet e ditur se gjatë këtij takimi ambasadorët e QUINT-it, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve vendore të zbatimit të ligjit, që të angazhohen dhe sigurojnë proces zgjedhor të drejtë dhe të sigurt.
Ndërsa, Pula është shprehur se Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës, do të hetojnë dhe ndjekin penalisht çdo pretendim për mashtrim, ryshfet dhe shkelje të tjera penale lidhur me zgjedhjet.
“Dhe në fund, koordinatorja Pula, ka bërë apel tek secili qytetarë që ka prova për mashtrim, sjellje të pahijshme dhe parregullsi të procesit zgjedhor të paraqitet dhe t’i raportojë ato, tek Policia Kosovës dhe Prokurori i Shtetit”, thuhet në njoftim./Insajderi.com