92 autoambulanca për krejt banorët e vendit

92 autoambulanca për krejt banorët e vendit

Dy muaj më parë një mërgimtar nga Skandinavia kishte sjellë në Kosovë katër autoambulanca. Blerim Selimi, i cili punon në një institucion shëndetësor në Suedi, kishte thënë se iniciativën e kishte marrë pasi kishte parë gjendjen e autoambulancave në Qendrën Spitalore në Skenderaj. Në të gjithë Kosovën në funksion të qytetarëve janë 92 autoambulanca që ofrojnë shërbime për të gjithë banorët. Ndërkaq, Prishtina me rreth 200 mijë banorë i ka në dispozicion 15 vetura të ndihmës së shpejtë. E nevoja për pajisjen me autoambulanca në nivel Kosove është e lartë

Makinat e ndihmës së shpejtë, që njihen edhe si autoambulanca, në disa raste emergjente arrijnë me vonesë deri në vendin ku ka nevojë për to. Por, ndër shkaqet kryesore të vonesës së këtyre autoambulancave po vlerësohet të jenë numri i vogël i tyre, si dhe komunikacioni i dendur.

Në komunën e Prishtinës, e cila zyrtarisht ka afro 200 mijë banorë, janë në dispozicion vetëm 15 vetura të ndihmës së shpejtë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, Bujar Gashi, ka shpjeguar për Express, rreth punëve që kjo qendër i kryen.

Ai ka treguar se numri i thirrjeve telefonike urgjente që adresohen nga qytetarët në këtë qendër, në baza ditore shkon mbi 100 thirrje. Ndërkaq, sipas Gashit, Qendra e Mjekësisë Urgjente brenda një dite në Prishtinë e në rrethinë operon deri në 70 raste.
“Numri i kërkesave ose i thirrjeve që bëhen në Qendrën e Mjekësisë Urgjente është  jashtëzakonisht i madh. Mirëpo, jo të gjitha thirrjet janë të natyrës urgjente. Shumicën e rasteve urgjente, qendra jonë i mbulon me kapacitetet që i ka”, ka thënë Gashi për Express.

Gashi thotë se Qendra e Mjekësisë Urgjente mbulon komunën e Prishtinës me fshatra, rastet e aksidenteve të trafikut në magjistralet Prishtinë – Shkup, Prishtinë – Mitrovicë, si dhe Prishtinë – Podujevë.

Por, ai shpreh nevojën për shtimin e numrit të ekipeve mjekësore, të cilat do t’u dilnin në ndihmë qytetarëve të Prishtinës. Ai thotë se brenda ditës punohet me tre ekipe. Ndërsa, sipas tij, në një ndërrim do të duhej të ishin pesë ekipe e jo tri sa janë në dispozicion tani.

“Autoambulanca kemi mjaftueshëm. Ne punojmë me tri ekipe. Brenda ditës dhe brenda natës janë tri autoambulanca me tri ekipe mjekësore. Mirë kishte me qenë që nëse e krahasojmë me numrin e banorëve në 50 mijë banorë, nevojitet një ekip, kështu që i bie edhe nëse veç 300 mijë banorë i ka Prishtina ne është dashur që t’i kemi gjashtë ekipe të mjekëve”, ka thënë Gashi.

Ndërsa ai ka thënë se si Qendër kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për rritjen e numrit të mjekëve dhe infermierëve. Ai thotë se kërkesa është në shqyrtim.
E për t’i krijuar pesë ekipe, sipas Gashit, minimum duhen edhe 20 persona staf mjekësor. “Kjo e kish rrit efikasitetin, shpejtësinë e të gjitha. Por ne jemi në pritje të Ministrisë së Financave të na japë leje për rritjen e resurseve humane, që po besojmë që në dhjetor apo janar të rriten kapacitetet. Për m’i krijua pesë ekipe në ndërrim, minimum na duhen edhe 20 persona, staf mjekësor në ndërrim”, ka shpjeguar Gashi.

Sipas drejtorit në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, Bujar Gashi, thirrjet më të shpeshta nga qytetarët në qendrën që ai e drejton kanë të bëjnë me sëmundjet e zemrës, infarktit, si dhe paralizat që ndodhin aty për aty.

“Thirrjet emergjente janë të natyrave të ndryshme. Disa që i takojnë prioritetit 1 janë sëmundjet akute të zemrës, sëmundjet akute të trurit, gjakderdhjet, paralizat që ndodhin aty për aty, rëniet prej lartësisë, vrasjet, plagosjes, aksidentet”. Gashi deklaron se emergjenca në vendin e ngjarjes që nga thirrja emergjente në kohë mesatare arrin për 7 minuta e 33 sekonda. Shumica e rasteve, sipas tij, drejtohen për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Ndërkaq në 10 autoambulanca të cilat operojnë në qytetin e Prishtinës tashmë janë riaktivizuar pajisjet e GPS-it. Kjo, sipas Gashit, do të mundësojë që emergjenca të arrijë më shpejt në vendin e ngjarjes.

Numri i mjekëve në Qendrën e vetme emergjente, e cila mbulon rajonin e Prishtinës me fshatra, është 21, ndërkaq i infermierëve është 44. 11 vozitës dhe 15 autoambulanca operojnë në Prishtinë, e cila i ka afro 200 mijë banorë.