92% e qytetarëve me më pak se 10 mijë euro në TRUST – tërheqja e mjeteve do t’u rimbursohet nga shteti

92% e qytetarëve me më pak se 10 mijë euro në TRUST – tërheqja e mjeteve do t’u rimbursohet nga shteti

Të dhënat zyrtare të TRUST-it tregojnë se 92% të qytetarëve kanë nën 10 mijë euro mjete të ndara për pension, ndërkaq shuma të cilën e marrin nga përqindja që do të mund të shfrytëzohet nga ditët në vijim, sipas propozimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, do të rimbursohen nga shteti, njofton Insajderi.

Ndërsa, tetë përqind e qytetarëve që i kanë mbi 10 mijë euro në TRUST do të mund ti tërheqin 10 përqind të mjeteve të tyre por që ato nuk do të rimbursohen nga buxheti i shtetit.

Sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, qytetarët e Kosovës që kanë mjete të kursyera në TRUST do të mund të aplikojnë ti tërheqin 10 përqind të mjeteve të kursyera.

Ligji për rimëkëmbje ekonomike është dekretuar nga Zyra e Presidencës. Menjëherë pas kësaj, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëhit.

“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.

Sipas Trustit, janë katër muaj në dispozicion për aplikim.

“Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”, përfundon njoftimi. /Insajderi.com