​Ambasada e SHBA-ve kundër ligjit për vlerat e UÇK-së

​Ambasada e SHBA-ve kundër ligjit për vlerat e UÇK-së

Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur kundër nismës së Partisë Demokratike të Kosovës rreth ligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.

Ambasadori, Philip Kosnett, ka thënë se ligji i propozuar është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19?”, ka shkruar diplomati amerikan në një postim në Twitter.

Projektligji në fjalë parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

 


Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa llogaritur investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka proceduar me këtë projektligj dhe ai tash i dërgohet komisionit funksional, që në këtë rast është Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion.

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fillimisht në prill të vitit 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga Komisioni i njëjtë funksional.

Sipas PDK-së, procedimi i mëtejmë i këtij projektligji kishte ngecur, për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e ekzekutivit të vendit gjatë vitit 2019.

Ndryshe, kohë më parë në Kuvend kishte kaluar një rezolutë për mbrojtjen e vlerave të luftës e propozuar nga PDK./Insajderi.com