Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është e mbushur me pacientë të cilët po trajtohen për COVID-19, 99 për qind e të cilëve nuk janë të vaksinuar.
Kështu bëri të ditur pulmologu Flamur Marku, duke shtuar se janë 88 pacientë të infektuar, ku pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa 69 në oksigjenoterapi.
Tha se në klinikë ka mjaftueshëm pajisje medicinale, ilaçe dhe material shpenzues.
“Menaxhimi i pacientëve të cilët janë shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë është në mënyrën më të mirë të mundshëm me ato kapacitete që kemi. Pothuajse janë mbushur të gjitha vendet, por tani pacientët me Covid pozitiv po trajtohen edhe në klinika të tjera kështu që është mjekësia sportive dhe besoj që edhe disa ditë do t’ia dalim. Megjithatë, duke parë kërkesën e madhe për hospitalizim unë kam frikë se do të kemi shumë problem për vende”, deklaroi pulmologu Marku për EO.
Jo vetëm Pulmologjia, edhe klinikat tjera në QKUK dhe spitalet e përgjithshme pothuajse kanë mbushur të gjitha kapacitetet. Kjo për shkak të rritjes enorme të rasteve të infektimit në muajin gusht, dhe rrjedhimisht kërkesës për t’u trajtuar në spitale të sëmurët rëndë me COVID-19.
Vetëm në 24 orët e fundit, në Kosovë si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 22 persona, ndërsa janë konfirmuar një mijë e 894 raste pozitive./Insajderi.com