​Mosvotimi i projektligjit për rimëkëmbjen rrezikon bizneset – Qeveria kërkon të votohet në Kuvend

​Mosvotimi i projektligjit për rimëkëmbjen rrezikon bizneset – Qeveria kërkon të votohet në Kuvend

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike dështoi të votohet sërish në parim në seancën e së enjtes, por ky veprim po konsiderohet i rrezikshëm për ekonominë e Kosovës.

Derisa qeveria kërkon sa më parë të votohet projektligji në fjalë, opozita thotë se ky plan nuk i përmbush nevojat e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, derisa e pranon se nuk ka vullnet politik për ta miratuar projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, thotë se ky plan nuk është elektoral dhe as politik, prandaj duhet të votohet, meqë sipas tij ky projektligj sjell të mira për të gjithë qytetarët në këtë kohë pandemie.

“Edhe ne si koalicion qeveritar nuk i kemi pasur kolegët deputetë të gjithë aty, mirëpo ajo që unë i lus deputetët është që të bëhen të gjithë bashkë për shkak se ky ligj nuk është ligj elektoral, nuk është ligj politik, është ligj i cili sjell të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës në veçanti në kohë pandemie. Ideja nuk është me ia zgjat gishtin askujt, ideja është me e pa se a mundemi me u bë bashkë me e kalua këtë ligj me të cilin do kenë benefite të drejtpërdrejta qytetarët, bizneset, ndërmarrjet dhe mbi të gjitha do hyjnë në funksion një numër i madh i projekteve që i ndihmojnë Kosovës….Këtu ka të bëjë me vullnet politik, vullneti politik nuk ekziston dhe si i tillë ka dështuar”, tha Tahiri për KP, transmeton Insajderi.

Përfaqësues të odave kanë vlerësuar se gjendja ekonomike është e rëndë dhe duke mos u votuar ky projektligj po rrezikohen shumë biznese.

Drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka thotë se me mosvotimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike po ngelim prapa në aspekt të mbështetjes së ndërmarrjeve duke rrezikuar jo vetëm mbijetesën e tyre por edhe po rrezikohen vendet e punës.

Sipas tij, aplikimi i masave të parapara në këtë ligj do kishin efekt pozitiv në ekonominë e vendin, por që efektet e tyre do jenë afatshkurta.

“Ne realisht as me pakon emergjente fiskale nuk jemi adresuar në mënyrë proporcionale dëmit që është shkaktuar sektorit privat, por as me Pakon Emergjente Fiskale të cilën nuk po arrijmë ta jetësojmë realisht ne po ngelim prapa në aspekt të mbështetjes së ndërmarrjeve duke rrezikuar jo vetëm mbijetesën e tyre por edhe vendet e punës, e sidomos në sektorët si ndërtimtaria të cilët kanë pësuar një goditje të madhe prej pandemisë dhe natyrisht edhe sektorët tjerë joformal ku besohet se ka pjesëmarrje të vendeve të punës….Do ketë megjithatë një efekt pozitiv në ekonomi, qoftë nëse flasim për 100 milionë euro ose 150-60 milionë euro po të tërhiqeshin në përgjithësi, po të tërhiqej 10 përqind i mjeteve të kursyera nga Trusti Pensional nuk mund ta relativizojmë ndikimin që do ketë injektimi i këtyre mjeteve në ekonominë e vendit, por natyrisht që efektet do jenë afatshkurta, ashtu siç edhe kjo do rrezikoj edhe mirëqenien e pensionistëve në të ardhmen”, tha Zeka. /Insajderi.com