Evropianët e pabindur

Pse Franca dhe Holanda mbesin të pabindura se Kosova i meriton vizat?

Avdullah Hoti deklaroi ditë më parë se tashmë janë vetëm dy shtete që nuk po binden për t’ia liberalizuar vizat kosovarëve. Bëhet fjalë për Francën dhe Holandën. Analistët politik dhe njohësit e politikave të Bashkimit Evropian kanë thënë për Gazetën Online Insajderi se një qasje e tillë është “asimetrike” dhe “gati raciste”.

Pse Franca dhe Holanda mbesin të pabindura se Kosova i meriton vizat?

“Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat për heqje vizash në Bruksel, sepse BE duket të jetë e pafuqishme që t’i bind anëtarët e vet që të pajtohen për liberalizimin vizash për kosovarët. Siç ka qenë i pafuqishëm që t’i bind pesë shtetet e veta anëtare që ta njohin Kosovën shtet”.

Kështu thotë analisti Imer Mushkolaj për Gazetën Online Insajderi.com, derisa ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, lidhur me liberalizimin e vizave, për çka i pari i Qeverisë kishte thënë se “vetëm vendet si Franca apo Holanda po e pengojnë këtë proces”.

Sipas Mushkolajt, këto dy vende janë duke e kundërshtuar heqjen e vizave për kosovarët meqë janë të bindura se një veprim i tillë nuk është i mirë për to.

“Të dyja njihen si vende me një numër të madh azilkërkuesish dhe duket se nuk janë të gatshme të pajtohen që të rritet numri i njerëzve që mund të kërkojnë azil edhe nga Kosova”, ka thënë Mushkolaj.

Ai më tutje u shpreh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim vizash dhe një qasje të tillë nga kundërshtarët e liberalizimit e cilëson “gati raciste”.

“Institucionet e Kosovës është dashur të punojnë dhe duhet të punojnë më shumë me të dy shtetet veç e veç, që t’i bindin se nuk ka rrezik nga lëvizja e lirë e kosovarëve. Pra, nevojitet një politikë proaktive për bashkëpunim me këto dy shtete”, ka thënë më tej ai.

Edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është bërë thjeshtë çështje politike që reflekton jo vetëm problemet e brendshme, por edhe paaftësinë e BE-së si faktor i rëndësishëm global.

Siç thotë ai, kjo çështje po mbahet peng në Këshillin e Bashkimit Evropian, ku Franca padyshim ka një rol të rëndësishëm dhe pa dakordimin e saj as nuk procedohet në votim.

“Arsyet qëndrojnë në parim pasi lidhen me nevojën për rezultate më të mira në luftimin e korrupsionit, por nëse kemi parasysh gjendjen e sundimit të ligjit në vendet e tjera të rajonit, qasja ndaj Kosovës rezulton asimetrike”, ka thënë Fetoshi në një përgjigje për Insajderi-n.

“Pikërisht këtu mendoj se e ka burimin edhe rënia e besueshmërisë së BE-së si faktor lehtësues në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe pikërisht në kuadër të këtij procesi duhet kërkuar fatin e vizave”.

Mirëpo, ai nuk e përjashton mundësinë që fakti se presidenca e radhës e Këshillit të BE-së është në duart e Gjermanisë, mund të jetë shpresëdhënëse për Kosovën për t’u angazhuar maksimalisht që t’i bindë shtetet hezituese dhe ta shtojë presionin pozitiv për procedimin e vendimit, e sidomos në dy muajt e ardhshëm.

“Fundi i këtij viti mund të jetë afat real për lëvizjen e lirë të kosovarëve, vetëm nëse Shtetet Anëtare të BE-së do të tregojnë vullnet politik dhe nëse institucionet e Kosovës dëshmojnë më shumë seriozitet në luftimin e krimit e korrupsionit”, ka përfunduar profesori universitar.

Kreu i ekzekutivit derisa po qëndronte në Bruksel për të zhvilluar takimet e tij në Parlamentin Evropian më 11 shtator, tha se pavarësisht se Komisioni Evropian ka vite që e mbështet liberalizimin e vizave – janë vetëm Franca dhe Holanda që po e pengojnë këtë proces.

Hoti u shpreh se po punohet me dy vendet në nivel ministror që të binden se kushtet për luftimin e migrimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar janë përmbushur dhe po mbeten të tilla.

Redaksia ka provuar të kontaktojë edhe me ambasadat e këtyre dy vendeve në Prishtinë, mirëpo nuk ka pasur një përgjigje nga këto dy prezenca diplomatike në Kosovë./Insajderi.com