Gjuriq: Marrëveshja e Uashingtonit po zbatohet me shpejtësi të vetëtimës

Marko Gjuriq ka folur për marrëveshjen e arritur në Uashington. Ai e ka trajtuar atë si një marrëveshje në mes të Serbisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka thënë se ajo tashmë ka filluar zbatim.

Gjuriq: Marrëveshja e Uashingtonit po zbatohet me shpejtësi të vetëtimës

Ardhja e përfaqësuesve të Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit Amerikan në Beograd është një tregues se marrëveshja ekonomike nga Uashingtoni po zbatohet me shpejtësi të madhe, ka thënë drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, njofton Insajderi.

“Marrëveshja nga Uashingtoni po zbatohet me shpejtësi të vetëtimës”, pohoi Gjuriq.

Ai deklaroi se dera po hapet për një kapitull të ri në marrëdhëniet amerikano-serbe, kryesisht në ekonomi, shkruan Tanjug.

Gjuriq ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai thotë se “Bashkimi Evropian duhet të bëjë punën e saj dhe të ndikojë tek institucionet e Prishtinës për ta formuar Asociacionin”.

Sipas politikanit serb “formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është një kusht për përparim të mëtejshëm në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se mbetet të shihet nëse Bashkimi Evropian do të ndikojë në Prishtinë për të filluar negociatat”./Insajderi.com